Kryeministri Edi Rama nuk ka preferuar ta komentojë vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për të dënuar me burg ish-ministrin Saimir Tahiri.
I pyetur nga gazetarët për këtë çështje dhe “ish-ministrin kampion”, shefi i qeverisë tha se e ka ditur mirë se çfarë ka bërë kur ka udhëhequr Reformën në Drejtësi dhe po të kthehej pas në kohë do të bënte të njëjtën gjë.
“Nuk komentoj asnjëherë vendimet e gjykatave. E kam ditur mirë çfarë kam bërë kur kam udhëhequr Reformën në Drejtësi, njëqind herë të kthehesha mbrapsht njëqind herë do të bëja të njëjtën gjë, por sot jemi këtu për një çështje krejt tjetër me një rëndësi shumë të madhe dhe me një vlerë shumë pozitive për Shqipërinë kështu që nuk do doja që të shfokusoheshim nga kjo çështje. Patjetër për çështje të tjera dhe për ecurinë e Reformës në Drejtësi do të kemi plot kohë të flasim”, tha Rama.