Bota Futi tanket në Ukrainë, Gjermania i jep goditjen e fortë Rusisë

Futi tanket në Ukrainë, Gjermania i jep goditjen e fortë Rusisë

Një ditë më parë, Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dekretoi njohjen e pavarësisë së krahinave lindore të Ukrainës, Donetsk dhe Luhansk, ndërsa menjëherë më pas futi tanket në këto territore.

Ndërkohë, ka ardhur edhe goditja e parë për Rusinë. Berlini do të pezullojë procesin e certifikimit të gazsjellësit Nord Stream 2, që do të sillte gazin rus në Gjermani.

Kancelari gjerman Olaf Scholz u tha gazetarëve në Berlin se qeveria e tij mori këtë masë në përgjigje të veprimeve ruse në Ukrainë.

“Ky është një hap i nevojshëm administrativ, që do të pamundësoje funksionimin e Nord Stream 2”, tha kancelari.

“Situata sot është krejtësisht ndryshe nga disa ditë më parë dhe për këtë duhet ta analizojmë sërish, kam kërkuar nga Ministria e Ekonomisë që të tërhiqet dokumenti nga procedura E certifikimit për gazsjellësin Nord Stream 2″, tha ai.

Ndërtimi i gazsjellësit ka përfunduar, por projekti kërkonte certifikimin nga autoritetet gjermane pare se të niste furnizimi me gaz. Nord Stream 2 ka qenë burim përplasjesh me Uashingtonin, i cili kundërshtonte rritjen e varësisë europiane nga gazi rus.

Por deri më tani, Gjermania kishte refuzuar të përdorte kartën e gazsjellësit për ti bërë presion Moskës, pasi gati gjysma e nevojave të saj energjetike plotësohen pikërisht nga Rusia. Udhëheqësi ukrainas Volodimir Zelenski bëri thirrje për pezullimin e menjëhershëm të projektit pas vendimit të presidentit rus për të njohur pavarësinë e Donbas.