Bota “Rusia planifikon të marrë Kievin dhe të vrasë Zelensky-n“

“Rusia planifikon të marrë Kievin dhe të vrasë Zelensky-n“

Këshilltari presidencial i Ukrainës, Mykhailo Podolyak pretendon se Rusia po planifikon që të marrë në kontroll kryeqytetin Kiev dhe të vrasë Presidentin Volodymyr Zelensky. Sipas këshilltarit kjo është një pjesë e planit të Rusisë për pushtimin e vendit.

Zelensky deklaroi vetë gjatë një fjalimi se tashmë ai është “shënjestra numër një “ për forcat ruse. Këshilltari ka thënë se presidenti qëndron në Kiev pavarësisht raportimeve se është arratisur.

Ukraina po përballet me kufizime në naftë dhe i është mbyllur hapësira ajrore. Por deri më tani, sipas këshilltarit vijon të punojë sistemi bankar. Podolyak ka thënë se ushtria ukrainase ka rrëzuar dy raketa dhe një avion mbi Kievin.

Ministria e Brendshme në Ukrainë deklaroi në njoftimin e saj të fundit për shtyp se ushtria ruse nuk ka bombarduar vetëm bazat ushtarake gjatë 24 orëve të para të luftimeve.

Sipas zyrtarit të kësaj ministrie Vadym Denysenko, forcat ruse kanë bombarduar 33 zona të banuara gjatë sulmit të tyre duke rrëzuar pretendimet e Rusisë se civilët nuk janë të rrezikuar.

Çfarë ka ndodhur deri tani?

-Në ditën e dytë të sulmit rus në Ukrainë janë raportuar shumë shpërthime në Kiev. Zyrtarët ukrainas kanë thënë se Rusia ka ndërmarrë sulme me raketa në kryeqytet. Të paktën një ndërtesë është dëmtuar në kryeqytet. Nga kjo ngjarje janë plagosur tre persona.

-Presidenti Zelensky i është drejtuar kombit me një fjalim dhe ka kërkuar nga Rusia një armëpushim. Zelensky u ka kërkuar aleatëve perëndimore që të bëjnë më shumë për të ndaluar sulmin rus. Ai ka thënë se e di që tashmë ai vetë është objektivi numër 1 i Rusisë.

-137 ukrainas kanë ndërruar jetë pas luftimeve që ndodhën të enjten. Mes viktimave ka ushtarë dhe civilë.

-Rusia ka marrë kontrollin e kompleksit të Çernobilit. Ndërkombëtarët kanë bërë thirrje për kujdes maksimal në zonë për shkak të radioaktivitetit. Deri tani në ish-objektin bërthamor nuk është raportuar për viktima apo shkatërrime.

-Ndaj Rusisë janë vendosur sanksione të reja, që nga Brukseli në Kanberra. Sanksionet përfshijnë edhe ngrirjen e disa aseteve bankare.

-Presidenti Vladimir Putin ka mbrojtur sulmin ndaj Ukrainës dhe thotë se nuk ka mënyrë tjetër për të mbrojtur Rusinë.