“Komandanti i Brigadës së 12-të të Inxhinierisë së Gardës së Veçantë, koloneli Serhiy Porohnya, është eliminuar”.
Ky është njoftimi i lëshuar nga Shtabi i Ushtrisë së Ukrainës që jep këtë lajm, në betejën e zhvilluar një ditë më parë.
Pas luftimeve të ashpra midis ushtarëve rusë dhe ukrainas në ditën e 19-të të luftës, burime të qeverisë ukrainase raportuan vdekjen në luftime të kolonelit dhe komandantit rus Serhiy Porohny.
Përmes rrjeteve sociale ata dhanë lajmin për vdekjen e këtij ushtari të lartë të qeverisë Putin.
Ndërkohë, Rusia ka humbur gjithsej 13 komandantë në fushën e betejës që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës. Kështu shkruan tabloidi britanik The Sun, duke hartuar listën e viktimave. Moska nuk ka bërë një përditësim të viktimave të luftës dhe është kufizuar vetëm në një pjese të vogël të të rënëve, duke përfshirë disa gjeneralë.
I fundit nga 13 komandantët rusë që humbën jetën në Ukrainë është koloneli Serhiy Porohny. Para tij ishte kapiteni Alexey Glushchak, 31 vjeç, nga Tyumen i Siberisë. Ai humbi jetën në masakrën e Mariupolit gjatë një operacioni sekret dhe u varros me nderime të plota ushtarake.
Midis ushtarëve me origjinë nga Siberia janë edhe Vladimir Plekhanov, 24 vjeç dhe Sagyndyk Kudaibergenov, 22 vjeç. Ky i fundit u vra nga një mortajë më 26 shkurt, por varrimi i tij u kremtua vetëm më 11 mars.
Koloneli Andrei Zakharov u vra në një pritë ukrainase pranë Kievit. Në vitin 2016, ai mori medaljen e Urdhrit të Guximit nga Putin për “shërbimin” e tij në Siri. Gjeneralmajor Andrei Kolesnikov gjithashtu vdiq në të njëjtën pritë.
Një gjeneral tjetër, Vitaly Gerasimov (zëvendës komandanti i Forcës së Përbashkët të 41-të Ruse), u vra në luftime jashtë Kharkiv. Gerasimov ishte dekoruar gjithashtu “për pushtimin e Krimesë”.
Nënkoloneli Dmitry Safronov, i cili drejtonte një brigadë detare, dhe nënkoloneli Denis Glebov u vranë kur forcat ukrainase rimorën qytetin e Chuhuiv. Koloneli Konstantin Zizevsky, i cili drejtoi trupat e sulmit ajror, u vra në jug të Ukrainës.
Gjeneralmajor Andrei Sukhovetsky (Komandanti “Spetsnaz” dhe Zëvendës Shefi i Ushtrisë së 41-të të Novosibirsk) u vra nga një snajper ukrainas gjatë luftimeve në aeroportin Hostomel, rreth 20 kilometra larg Kievit. Edhe gjenerali Magomed Tushaev vdiq në sulmin ndaj forcave speciale çeçene pranë Hostomel.
Mes të vrarëve rusë është Vladimir Zhonga, i cili drejtoi batalionin e Sparta, një njësi ushtarake separatiste nga Donetsk. Dy komandantë të tjerë të lartë rusë të paidentifikuar janë vrarë gjithashtu në luftime.