Kulturë Zbulohen sekretet e Mona Lizës në ekspozitën mbresëlënëse në Marsejë

Zbulohen sekretet e Mona Lizës në ekspozitën mbresëlënëse në Marsejë

Mona Liza është subjekti më i famshëm i pikturave në botë.

Tani, në Marsejë, një ekspozitë gjithëpërfshirëse plotësisht dixhitale u ofron artdashësve mundësinë të shikojnë me detaje këtë pikturë të jashtëzakonshme, për të parë botën e Mona Lizës dhe për të zbuluar misteret e saj.

Në sallën 600 m2 të Palais de la Bourse, e njohur si vendndodhja e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, një udhëtim nëpër gjashtë faza ju jep mundësinë që të eksploroni aspekte të ndryshme të kryeveprës së Leonardo da Vinçit.

Ekspozita është “një mundësi për t’iu afruar pikturës, për të zbuluar të gjitha detajet e saj”, thotë Vincent Delieuvin, kuratori kryesor i pikturës italiane të shekullit XVI në Muzeun e Luvrit.

Pse është kaq e famshme Mona Liza?

Mona Liza u pikturua diku midis viteve 1503 dhe 1519, kur Leonardo jetonte në Firence. Sot, kjo pikturë gjendet në Muzeun e Luvrit të Parisit.

Tema e buzëqeshjes misterioze të këtij portreti dhe identiteti i pavërtetuar i Mona Lizës e kanë bërë këtë pikturë një burim investigimesh dhe magjepsjeje të vazhdueshme.

Kjo ekspozitë interaktive synon të eksplorojë historinë dhe trashëgiminë e kësaj kryevepre, si dhe na ndihmon të kuptojmë arsyen pse ajo u bë kaq e famshme.

Nga origjina e mitit të Mona Lizës e deri te pasardhësit e saj, duke përfshirë edhe vjedhjen e pikturës në vitin 1911, e cila pati ndikim të madh në rritjen e famës së saj, çdo fazë e rrugëtimit të kësaj vepre është subjekt i një filmi të projektuar në një format të madh dixhital.

Rrëfimi vizual shoqërohet me ekrane më të vogla ndërvepruese, që shërbejnë për të eksploruar më gjerësisht temën e trajtuar: ato “i japin mundësi publikut të jetë vërtet një aktor në vizitën e tij, të mësojë, të luajë, të zbulojë”.

“Për bashkëkohësit e Leonardo da Vinçit, kjo ishte piktura e parë ku përfaqësohej jeta fizike dhe psikologjike”, shpjegon Delieuvin.

Kjo jetë ka marrë një kuptim të ri falë këtij mediumi dixhital, të zhvilluar nga kompania Artisans d’idées me qendër në Marsejë.

Ekspozita do të jetë e hapur nga data 10 mars deri më 21 gusht 2022.