Enkelejd Alibeaj do të marrë përkohësisht drejtimin e Partisë Demokratike. Nënkryetari i PD është komanduar në këtë post në përputhje me statutin e partisë, duke qëndruar në krye të selisë blu për një periudhë tranzitore.
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Gazmend Bardhi njoftoi se pas dorëheqjes së Lulzim Bashës ka thirrur në një takim nënkryetarët e partisë Jorida Tabaku dhe Enkelejd Alibeaj si dhe Kryetaren e Këshillit Kombëtar të PD, Arta Sakja.
Bardhi thotë se sipas Statutit të Partisë dhe për të mos krijuar asnjë vakuum në drejtimin e saj i ka konsultuar ata me qëllim paraqitjen për zgjedhjen menjëherë nga Këshilli Kombëtar të komandimit të njërit prej nënkryetarëve për drejtimin e Partisë.
Sipas asaj që deklaron Bardhi, nënkryetarja Jorida Tabaku ka hequr dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë.
“Pasi jam njohur me deklaratën e Kryetarit të Partisë z. Lulzim Basha se ka vendosur të hedhë një hap pas duke u dorëhequr nga detyra e kryetarit të PD për të ndihmuar në ringritjen e PD, kam thirrur në një takim urgjent pune për të diskutuar për situatën Nënkryetarët e Partisë znj. Jorida Tabaku dhe z. Enkelejd Alibeaj, si dhe Kryetaren e Këshillit Kombëtar të PD znj. Arta Sakja.
Në mbështetje të Statutit të Partisë dhe për të mos krijuar asnjë vakuum në drejtimin e Partisë në këtë moment të vështirë dhe specifik, kam konsultuar të dy Nënkryetarët me qëllim paraqitjen për zgjedhjen menjëherë nga Këshilli Kombëtar të komandimit të njërit prej tyre për drejtimin e Partisë.
Në takim kam marrë konfirmimin e Nënkryetares znj. Tabaku se heq dorë nga e drejta statutore për t’u propozuar në Këshillin Kombëtar për drejtimin e Partisë. Për pasojë, në përputhje me nenit 46 të Statutit, drejtimi i partisë në këtë periudhë tranzitore, deri në vendimmarrjen e institucioneve të partisë, do të behet nga Nënkryetari i Partisë dhe Kryetari i Grupit Parlamentar z. Enkelejd Alibeaj”, tha Bardhi.