Trajneri i Italisë, Roberto Mancini, në konferencën përpara ndeshjes (pa vlerë) ndaj Turqisë, konfirmoi indirekt se do të vijojë aventurën e tij me “axurrët”, pavarësisht se nuk arriti ta kualifikonte ekipin për në Botërorin e Katarit.
“Do të flas sërish me Gravinën (Presidentin e Federatës Italiane të Futbollit), për të kuptuar se ku mund të përmirësohemi. Doja të fitoja Europianin dhe Botërorin, por për të dytin më duhet ende kohë”, tha Mancini.
“Me Presidentin jemi në të njëjtën linjë, do të arsyetojmë me qetësi për të ardhmen. Me djemtë mund të riorganizoj diçka të madhe. Duhet të rinisim një cikël të ri, kemi ndeshje të rëndësishme përpara. Do të fusim lojtarë të rinj që në qershor, për ndeshjet e Ligës së Kombeve”, shtoi trajneri i Italisë.
Edhe Leonardo Bonucci shpjegoi pse lojtarët i kanë kërkuar që të qëndrojë: “Na ka dhënë diçka të veçantë këto tri vite. Ka një atmosferë mes trajnerit, lojtarëve dhe stafit që rrallëherë e kemi pasur në ekipin kombëtar. Është gjëja më logjike që të vazhdojmë me Mancinin”.