Extra Lufta në Ukrainë, Depardieu distancohet nga Putin, zemërohet Kremlini

Lufta në Ukrainë, Depardieu distancohet nga Putin, zemërohet Kremlini

Aktori francez Gerard Depardieu

Në Francë, admiruesit e Gérard Depardieu janë të vetëdijshëm për dallimin mes aktorit dhe individit. I njohur për miqësinë me Putin, aktori francez i parapriu me një deklaratë për shtyp shfaqjes së tij për tre net radhazi në Teatrin Champs-Elysées.

Në fakt, kërkua nga vetë aktori, me frikën se shfaqja mund të kompromentohej nga miqësia e Depardieu me Vladimir Putin.

Në deklaratën për shtyp të publikuar mbrëmjen e së enjtes më 31 mars, një ditë para fillimit të shfaqjes, aktori, i cili ka pasaportë ruse që nga viti 2013, shprehet: “Populli rus nuk është përgjegjës për ekseset e papranueshme të liderëve të tij, si Vladimir Putin”. Aktori merr përsipër të dhurojë “të gjitha të ardhurat nga tre koncertet për viktimat ukrainase të kësaj lufte tragjike vëllavrasëse” (biletat kushtojnë nga 5 deri në 110 euro).

Siç raporton “Le Monde”, para se të hapeshin dyert e teatrit, fansat e Depardieu pritën në radhë me durim, për të parë “artistin, sepse pjesa tjetër është problemi i tij”.

Kremlini iu kundërpërgjigj deklaratës së aktorit përmes zëdhënësit të Putin, Dmitry Peskov. Ky i fundit tha se aktori ndoshta nuk e kuptonte plotësisht situatën në Ukrainë dhe u ofrua t’ia shpjegonte.

Depardieu u largua nga Franca për arsye tatimore në vitin 2013. Putin ia dorëzoi personalisht pasaportën ruse në Soçi.

Në atë kohë, aktori dhe presidenti shtrënguan duart dhe u përqafuan me njëri-tjetrin, me Depardieu që e përshkruante Rusinë si “një demokraci të madhe”.