Një tjetër varr masiv me trupat e pajetë të 20 civilëve, përfshirë këtu kryebashkiaken e Motyzhyn dhe familjen e saj, u zbulua në orët e fundit shumë pranë Kievit, si një tjetër provë e krimeve ruse të luftës.
Varri masiv u gjet pranë një zonë të pyllëzuar në Motyzhyn, rreth 25 km nga varri tjetër që u zbulua në Bucha. Sipas të dhënave kryebashkiakja Olga Sukhenko ishte vrarë së bashku me djalin dhe bashkëshortin e saj.
Në trupin e Sukhenko kishte shenja të dukshme dhune. Asaj i ishin thyer gishtërinjtë dhe gjymtyrët si pasojë e dhunës së ushtarëve rusë, të cili mesa duket ishin urdhëruar të vrisnin këdo zyrtar ukrainas që refuzonte të bashkëpunonte.
Kryebashkiakja Sukhenko dhe familja e saj u rrëmbyen nga trupat ruse më 23 mars dhe fati i saj nuk dihej prej asaj dite.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i quajti anëtarët e ushtrisë ruse “vrasës, torturues dhe përdhunues” pasi qindra trupa të civilëve ukrainas u gjetën në rrugët e qyteteve përreth Kievit gjatë fundjavës.
Zelensky premtoi të hetojë dhe ndjekë penalisht të gjitha krimet ruse në Ukrainë.
“U vranë qindra njerëz. Civilë të torturuar, të ekzekutuar, kufoma në rrugë… E keqja ka hyrë në vendin tonë. Vrasë, torturues, përdhunues, grabitës, që e quajnë veten ushtri…Ata e meritojnë vdekjen pas asaj që bënë”, tha Zelenski.