Politika Kakofonia në selinë blu, PD kundër…PD: Alibeaj është shkarkuar si nënkryetar

Kakofonia në selinë blu, PD kundër…PD: Alibeaj është shkarkuar si nënkryetar

Partia Demokratike është përfshirë në një kakofoni. Si Komisioni i Rithemelimit, si pjesa tjetër e PD-së e drejtuar me kryetarin e komanduar Enkeleid Alibeaj pretendojnë se janë PD-ja reale.

Kështu, sot Partia Demokratike, me anë të një deklarate për mediat, ka bërë me dije se Enkelejd Alibeaj është shkarkuar si nënkryetar i partisë dhe për këtë arsye, ai nuk ka të drejtë të ankimojë vendimin e gjykatës së Tiranës, që regjistroi statutin e 11 dhjetorit.

“Së pari, sqarojmë se askush nuk mund të ndërmarrë veprime në emër të Partisë Demokratike. Kuvendi Kombëtar i PD, dt.11 dhjetor 2021, ka mandatuar si të vetmin organ drejtues të Partisë Demokratike Komisionin e Rithemelimit të Partisë. Gjithashtu, Kuvendi ka shkarkuar zotin Alibeaj si nënkryetar i Partisë Demokratike. Pra, nuk përfaqëson PD-në në asnjë marrëdhënie me të tretët.

Së dyti, përsa i takon kërkesës ankimore, ajo është paraqitur nga persona të palegjitimuar të bëjnë ankim kundër vendimit të mësipërm të gjykatës”, sqaron Partia Demokratike.

“PD denoncon aktin Basha-Alibeaj, si përpjekje e dëshpëruar e Edi Ramës për të mbajtur peng vulën e PD-së kundër vullnetit të shumicës së demokratëve, të shprehur qartë në kuvendin e tyre më 11 Dhjetor 2021 dhe të certifikuar në kutitë e votimit, më dt. 6 mars 2022”, shton më tej deklarata e Partisë Demokratike.