Prokurorja Elisabeta Imeraj paraqiti si provë të re një vendim të ILD-së që nuk ka gjetur konflikt interesi për tre anëtarët e KLP-së në votimin e saj si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës, ndërkohë që kishin të punësuar familjarët në atë institucion, një akt për diskriminimin për shkaqe krahinore, ndërsa si argument kundër gjetjes për cënim të besimit tek publiku parashtroi “publicitetin” pozitiv në media.
Nga Edmond Hoxhaj – BIRN
Tre seancat maratonë në KPA për tre ditë radhazi që zgjatën rreth 19 orë në total kur KPA u njoh me parashtrimet Komisionerit Pubik për ankimin e kryer kundër konfirmimit në detyrë të prokurores Elisabeta Imeraj, u dominuan prej kësaj të fundit – e cila dhe vetë deklaroi në mënyrë të përsëritur se po u kthehej çështjeve të cilat kishte parashtruar më parë, si dhe kërkonte ndjesë herë pas here për këtë fakt.
Kjo situatë u vërejt nga kryesuesja e trupës së Kolegjit Ina Rama pas një pushimi për ajrosjen e sallës në seanën e të premtes më 1 prill, e cila i kërkoi Imerajt që të ishte më e përmbledhur. Pasi Imeraj vijoi të përsëriste qëndrimet e saj kundrejt shkaqeve të ankimit, kryesuesja Rama e njoftoi se trupa kishte vendosur t’i jepte edhe një orë kohë për të paraqitur rrethana apo fakte të reja.
Rreth orës 15:30, Imeraj përmbylli kërkimet duke kërkuar administrimin e gjithë provave dhe hetim të thellë e të gjithëanshëm. Kolegji u tërhoq për të diskutuar lidhur me shqyrtimin e kërkesave për administrimin e provave dhe për riçeljen e hetimit, vendimarrje do të njoftohet në seancën e ardhshme që u caktua të zhvillohet më 12 prill, në orën 13:00.
Në seancën e të mërkurës më 30 mars Komisioneri Publik parashtroi shkaqet e ankimit për të tre kriteret e rivlerësimit; për pasurinë; pastërtinë e figurës; profesionalizmin; si dhe për etikën duke i kërkuar KPA-së shkarkimin e prokurores Imeraj. Ajo i kundërshtoi gjetjet duke i konsideruar të bazuara në copa letre anonime, pa rrethana faktike dhe dashakeqe.
Konfirmimi i Imerajt në detyrë më më 1 prill të vitit 2021 u pasua nga shqetësime të mëdha mes ndërkombëtarëve, të cilët argumentuan se rasti i saj vë në rrezik “integritetin, pavarësinë dhe tërësinë e procesit të vetingut”.
Nga sa parashtroi Imeraj gjatë tre seancave në KPA, u kuptua se ajo ishte investuar me kërkime në dhjetëra institucione për të siguruar dokumente e përgjigje për rethanat e kërkuara, që i depozitoi si prova për të mbrojtur konfirmimin e saj në detyrë. Po ashtu, ajo i kërkoi dhe Kolegjit që të investohej në marrjen e fashikujve të hetimeve të kryera bazuar në disa kallëzime të saj, duke pretenduar se jepnin përgjigje mbi pretendimet e gjetjeve të ONM-së.
Gjatë dy seancave të para ajo u paraqit me përfaqësuesin e saj ligjor, avokatin e Dhomës së Avokatisë së Strasburgut, Gregory Thuan, ku ngritën pretendime për cënim të të drejtave të njeriut në çështjen e saj dhe për diskriminim. Gjithashtu, Imeraj paraqiti pretendime se gjithçka ndaj saj ishte tendencioze për shkak të inateve apo të çështjeve që kishte hetuar e përfaqësuar në gjykatë.
Gjatë gjithë kohës, Imeraj ju rikthye në mënyrë të përsëritur kundërshtive ndaj shkaqeve të ankimit të Komisionerit për pasurinë. Sipas Ballhysës, subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për pasuritë dhe se ajo dhe ish-bashkëshorti nuk kanë burime të ligjshme për krijimin e tyre.
Për një kontratë për regjimin pasuror të vitit 2007 që është deklaruar nga subjekti afro dy vjet pasi ndaj saj kishte filluar hetimi admistrativ, Ballhysa konstaton se ajo nuk e ka pasqyruar në deklarimet vjetore, në atë “veting’ dhe as në fillimet e procesit të vetingut.
Ndërsa Imeraj i mëshoi gjatë gjithë kohës pretendimit të saj se nuk ka lidhje me pasuritë e ish-bashkëshortit, pasi kishte dorëzuar prova nga institucionet përkatëse se ajo nuk rezulton të ketë qenë apo të jenë pronare ose bashkëpronare në ndonjë pasuri. Ndërsa theksoi se për shpenzimet e jetesës kishte pasur të ardhura të mjaftueshme nga paga.
Lidhur me pyetjet e vëzhguesit ndërkombëtar Tonci Petkovic për diferencën e vlerës së tokës-arë të shkëmbyer me truallin, Imeraj sugjeroi që të kërkohej informacion në Bashkinë e Tiranës. Ndërsa i qëndroi parashtrimit se nuk kishte detyrime të papaguara lidhur me kontratën e shkëmbimit.
Gjithashtu, vërejti se kishte kryer analizë financiare nga një ekspert, duke ndjekur dy metodologji të ndryshme, ku në të dyja rastet rezultonte balancë pozitive.
Imeraj këmbënguli se regjimi pasuror rregullohet nga Kodi i Familjes dhe e cilësoi vendimin e Komisionit për konfirmimin e saj të drejtë.
Në seancën e të premtes Komisioneri Florian Ballhysa u dha përgjigje gjithë pyetjeve që subjekti i paraqiti një ditë më parë lidhur me trajtimin e gjetjeve si provë nga ana tij, konkretisht për pasurinë; përkufizimin e personit tëpërfshirë në krimin e organizuar; për denoncimet anonime përfshi dhe ato për përgjimet e vëzhguesit ndërkombëtar; si dhe për qëndrimin e tij për tre subjekte të tjerë kur të afërmit e tyre kanë rezultuar të dënuar, por nuk janë gjetur nga Komisioni si kontakte të papërshtatshme.
Ballhysa parashtroi se disa prej pyetjeve ishin të njëjta me ato të avokatit të cilit i dha përgjigje, megjithatë ai sqaroi se legjislacioni e detyronte që gjetjet e ONM-së t’i paraqiste si provë në cilësinë e mendimit të një eksperti. Ai shtoi se nuk ka kompetencë të kryejë vetë hetime apo të marrë prova.
Lidhur me këtë qëndrim, Imeraj u ndal gjatë duke e cilësuar të pavërtetë qëndrimin e Ballhysës. Duke ju referuar legjislacionit të vetingut, ajo këmbënguli se Komisioneri kishte kompetencë që të mos ushtronte ankim dhe kur kishte rekomandim të ONM-së, vetëm se në këtë rast duhej të arsyetonte refuzimin me shkrim.
Po ashtu, ajo theksoi se është e detyrueshme të përcaktohet se çfarë është mendim juridik dhe çfarë mendimi eksperti. Sipas Imerajt, në procesin e rivlerësimit ka edhe analiza financiare për të cilat një mendim juridik nuk mund të konkludohet si gjetje.
Lidhur me pyetjet për pasurinë dhe përkufizimin e personit të përfshirë në krimin e organizuar Ballhysa tha se përgjigjet gjenden në doktrinë dhe në ligjet përkatëse. Ai sqaroi arsyet përse në tre rastet e tjerët subjektet nuk ishin penalizuar për mosdeklarimin e dënimeve të të afërmve të tyre.
Imeraj ka deklaruar gjatë këtyre seancave, se personat me emra të njëjtë me ish-bashkëshortin dhe vëllain e tij për të cilët ngrihen pretendime në ankim si kontakte të papërshtatshme, janë shpallur të pafajshëm nga Gjykata e Apleit Romë, për veprat penale trafikim i qënieve njerëzore dhe shfrytëzim prostitucioni për të cilat ishin dënuar në shkallën e parë. Ajo ka argumentuar se legjislacioni nuk i përfshin si anëtarë të krimit të organizuar personat e shpallur të pafajshëm me vendim të formës së prerë. Po ashtu, ka theksuar se nuk ka pasur dijeni për një fakt të tillë.
Ballhysa dha shpjegime për secilën prej 24 pyetjeve dhe deklaroi se konsideronte që ishte shterues.
Imeraj parashtroi se nuk mund të krijonte dot bindjen se vëzhguesi ndërkombëtar nuk kishte qenë në gjendje të ngarkuar emocionale kur ka hartuar gjetjet, pasi dy burime të pakonfirmuara në atë kohë i kanë thënë se subjekti e kishte përgjuar dhe fotografuar.
“Komisioneri Publik nuk ka si të mos ushtrojë detyrimet kushtetuese që të mos pranojë gjetje pa prova duke mos ngritur pretendime të paqëna. Nëse Komisioneri do t’u hynte gjetjeve sipas Kushtetutës nuk do të ishim sot këtu”, theksoi Imeraj.
Provat dhe argumentet e reja
Imeraj i kërkoi Kolegjit të merrte si provë vendimin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë Artur Metani për pushimin e hetimit disiplinor ndaj tre anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të filluar bazuar në informacionet e ONM-sëse ata kishin marrë pjesë në procesin e ngritjes në detyr ëtë subjektit, si dhe në vendimmarrjen për emërimin e saj si drejtuese e Prokurorisë së Tiranës në kushtet e konfliktit të interesit, pasi dy prej tyre kishin të punësuar fëmijët, ndërsa tjetri nipin.
Po ashtu, paraqiti si provë një akt të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, ku sipas subjektit pasqyrohet diskriminimi për shkak të vendit të origjinës.
Lidhur me një denoncim nga publiku për një çështje ku pretendohet tejkalim i afatit, Imeraj dorëzoi dokumente duke sqaruar se vërtetonte se ajo e kishte hetuar për pak kohë pasi çështja kishte kaluar në një prokurori tjetër e për rrjedhojë nuk kishte përgjegjësi.
Për disa denoncime të tjera Imeraj dorëzoi një shkresë të Prokurorisë së Tiranës, me të cilën tha se vërtetonte se nuk kishte ndjekur hetimet për asnjë prej çështjeve penale dhe se pretendimet lidhen me zgjidhjen në themel, ku ajo nuk ka lidhje.
Imeraj i kërkoi Kolegjit që të tërhiqte dhe të njihej me aktet e hetimeve të kryera për kallëzimet e bëra prej saj për përgjimet e vëzhguesit ndërkombëtar Hans Klijstra, si dhe për kallëzimin e kryer për kartelën e pasurisë ku figuron emri i saj, akt për të cilin pretendon se është i falsifikuar.
Po ashtu, Imeraj i kërkoi trupës që të njihet me aktet hetimore lidhur me kallëzimin tjetër të kryer për të identifikuar personat anonimë që kanë kryer denoncime ndaj saj nëpërmjet emrave të rremë, pasi sipas subjektit ata kanë disponuar informacione që vetëm anëtarët e Komisionit mund t’i kishin.
Në vijim subjekti kërkoi që të thirren si dëshmitarë familjarët e saj dhe të ish-bashkëshortit, si dhe komisioneri Roland Ilia që ka qenë relator i çështjes së saj në KPK.
Në fund Imeraj u ndal në gjetjen për cënimin e besimit të publikut tek drejtësia. Ajo paraqiti një pasqyrë të detajuar të çështjeve që ajo kishte hetuar, që sipas saj ishin të rëndësishme dhe sensitive – ndaj personave të përfshirë në terrorizëm, në krimin e organizuar apo ndaj përfaqësuesve të politikës.
Si argument për të kundërshtuar gjetjen mbi cënimin e besimit të publikut Imeraj parashtroi edhe “publicitetin” pozitiv në media. “Kam pasur publicitet për shkak të çështjeve sensitive që kam hetuar. Mediat kanë pasur reagim pozitiv dhe ndihem mirë”, tha ajo.
“Të thuhet se kam cënuar besimin e publikut kjo nuk qëndron. Nuk kthehet besimi i publikut duke sulmuar një prokuror me letra anonime”, këmbënguli Imeraj dhe kërkoi që të konsiderohej çdo lloj formati që kishte konsoliduar gjatë ushtrimit të detyrës.
Lidhur me gjetjen për sjelljen joprofesionale gjatë seancës dëgjimore gjatë komunikimit me vëzhguesin ndërkombëtar, Imeraj deklaroi se ajo kishte qenë shteruese dhe se nuk kishte refuzuar asnjëherë të jepte shpjegime. Ajo tregoi se në një trajnim ndërkombëtar, pjesëmarrësve u ishte mësuar se marrja në pyetje e terroristëve dhe anëtarëve të krimit të organizuar bëhej duke kërkuar përgjigjet “po” ose “jo”.
“Nuk mund të pranoja të pyetesha me ‘po’ ose me ‘jo’”, deklaroi Imeraj dhe ftoi Kolegjin të dëgjonte seancën dëgjimore në KPK.
Në përfundim prokurorja Elizabeta Imeraj kërkoi të administrohen si prova gjithë aktet e dorëzuara prej saj, të kryehet hetim i plotë dhe i gjithanshëm dhe të konkludohet me lënien në fuqi të vendimit të Komisionit për konfirmimin e saj.
Trupi gjykues i KPA i kryesuar nga Ina Rama, me relatore Rezarta Schuetz dhe anëtarë Mimoza Tasi, Albana Shtylladhe Sokol Çomo u tërhoq për të diskutuar lidhur me riçeljen e hetimit dhe për administrimin e provave.