Ditë intensive në shtëpinë e Interit, që është duke lëvizur me shpejtësi për të kompletuar organikën sa më shpejt të jetë e mundur, pse jo edhe para nisjes së grumbullimit, që është planifikuar për në fillim të muajit korrik.
Momentalisht vëmendja e drejtuesve është përqendruar te rikthimi i Romelu Lukakut, teksa duket se Interi dhe Chelsea janë shumë pranë një marrëveshjeje dhe shumë shpejt pritet “tym i bardhë” që do t’i hapte rrugë fluturimit të belgut drejt Milanos, aty ku edhe u shpall kampion një vit më parë.
Menjëherë më pas, drejtuesit zikaltër do të mbyllin operacione të tjera në hyrje, si ai që lidhet me Paulo Dybalën, apo të tjerë me mbrojtësit Gleison Bremer dhe Nikola Milenkovic, me të cilët ka edhe një marrëveshje paraprake, ashtu si me emra si Mkhytarian, Asllani e Bellanova.
Sa i përket merkatos në dalje, duket se te Interi kanë vendosur të sakrifikojnë sllovakun Milan Skriniar dhe holandezët De Vrij e Dumfries, në mënyrë që të ruajnë stabilitetin ekonomik të ekipit.
Skriniar ka oferta nga PSG e së fundi nga Chelsea, teksa Interi ka vendosur një çmim prej 70 milionë eurosh për kartonin e tij, ndërsa Dumfries mund të largohet për rreth 40 milionë euro, pas një sezoni mjaft të mirë në Milano.
Edhe De Vrij mund të transferohet në Londër, te Chelsea, pasi trajneri Tuchel ka dhënë miratimin e tij dhe Interi mund të pranojë një shifër prej 15 milionë eurosh për kartonin e holandezit, të cilit i skadon kontrata verën e ardhshme.
Thuajse e pamundur një shitje e Lautaro Martinez në këto momente, pasi argjentinasi shihet si një futbollist mjaft i rëndësishëm i projektit zikaltër. Për më tepër, Lukaku do të vijë në huazim një vjeçar dhe gjërat mund të ndryshojnë verën e ardhshme, ndaj te Interi nuk duan të mbeten kurrsesi pa Lautaron.