Një pyetje e ka acaruar kryeministrin Edi Rama gjatë konferencës së sotme, edhe pse nuk i drejtohej atij.
Rama u përplas përsëri me gazetarin Klevin Muka, i cili në fakt iu drejtua me një pyetje provokuese ministres Olta Xhaçka.
Gazetari i kujtoi ministres Kodin Etik dhe e pyeti nëse e ka takuar bashkëshortin e saj biznesmen dhe investitor strategjik në prani të punonjësve të administratës.
Kjo sepse sipas Kodit Etik të miratuar nga vetë Qeveria Rama, ministrave te kabinetit u ndalohen takimet private me biznesmenët apo investitorët, dhe në rast se ata takohen duhet të bëhen në prani të dy punonjësve të administratës.
Pjesë nga debati:
Gazetari: Zonja ministre kam një pyetje vetëm për ju. Në 29 Prilli të këtij viti ka hyrë në fuqi kudo i ri etik që parashikon sanksione deri në largim nga detyra për ministret që e shkelin.
Një nga pikat e këtij kodi etik është që ministret nuk duhet të takohen me biznesmenë dhe duhet të takohen vetëm kur janë në praninë e dy punonjësve të administratës.
Po ju personalisht e keni zbatuar këtë pikë? E keni takuar bashkëshortin tuaj biznesmen dhe investitor strategjik nën shoqërinë e dy punonjësve të administratës apo e keni shkelur kodin etik?
Rama: Tani këtu përgjigjen do ta jap unë. Do kalosh në riedukim si Ambrozia për tre muajt e ardhshëm, nuk je i mirëseardhur në asnjë konferencë shtypi.
Gazetari: Kodi etik për çfarë është bërë? Pa problem, Kodi Etik do zbatohet apo jo? Kjo ishte pyetja ime. Nuk e kuptoj çfarë ka këtu nëse ju keni thënë që do të ketë masa deri në largim nga puna kur keni prezantuar kabinetin tuaj qeveritar.
Rama: Kjo është një tjetër shkelje e kodit etik të gazetarit në një konferencë shtypi që vazhdon me mikrofon dhe mban fjalime. Dhe po të them se siç pe me Ambrozian, komunikimi ishte perfekt. Ka një proces që quhet riedukim. Tre muaj, kështu që përgjigjen e radhës ti do ta marrësh pas 3 muajsh që i bie në tetor. Në konferencën e tetorit hajde, je i mirëpritur dhe shpresoj edhe i riedukuar.