Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, priti në një takim homologun shqiptar Edi Rama, me të cilin bisedoi kryesisht për negociatat me Bashkimin Europian, por edhe për çështje të tjera.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Rutte tha se Holanda mbështet propozimin francez që do të mundësojë heqjen e bllokadës për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
“Ka pasur një moment të ri në procesin e anëtarësimit. Ne mbështesim propozimin francez për heqjen e pengesave që ende po bllokojnë Maqedoninë e Veriut, dhe po kështu Shqipërinë. Gjëja e fundit që dimë është që qeveria po i hedh një vështrim pozitiv propozimit. BE në momentin që të arrihet një kompromis nuk do ta lërë vetëm Maqedoninë e Veriut. Sapo të kemi një Po, KE, KiE do të jenë shumë të lidhur ngushtë me atë që ndodh në Maqedoninë e Veriut. Po kështu do jetë një shpërblim edhe për punën e bërë nga qeveria e Edi Ramës. Europa është më e madhe se BE dhe diskutuam sot këtë nismë franceze që nuk është alternativë ndaj anëtarësimit, por diçka e bashkëlidhur që ka të bëjë me mënyrën se si ne në Europë si të mund të punojmë së bashku për çështje që duhet të punojmë së bashku”, u shpreh Rutte.
Ndër të tjera dy kryeministrat folën edhe për sulmin rus në Ukrainë.
“Holanda dhe Shqipëria janë të bashkuara në mbështetje të Ukrainës. Jam i lumtur që Shqipëria mbështet plotësisht sanksionet kundër Rusisë”.
Në tjetër çështje që u diskutua mes Rutte dhe Ramës, janë edhe shkëmbimet tregtare mes Shqipërisë dhe Holandës.
Ndërsa kryeministri Rama vlerësoi mbështetjen e Holandës dhe renditi disa prej investimeve më të rëndësishme holandeze në vendin tonë.
“Falë këtyre marrëdhënieve dypalëshe ne shohim më shumë nga Holanda në vendin tonë, renditet tashmë mes investuesve më të mëdhenj në vendin tonë. Kemi Shellin dhe me shpresë presim me padurim një lajm të mirë në fillim të vitit tjetër, falë një eksplorimi intensiv që Shell po bën në vendin tonë. Nëse do të jetë kështu, atëherë do të kemi për të festuar jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin në këto kohë të vështira për energjinë dhe për burimet e reja”.
“Në të njëjtën kohë, presim të shohim të materializuar e të vazhdojë bashkëpunimi mes aeroportit të Tiranës dhe Skiphol, ashtu siç po presim me padurim për zhvillimin e një projekti të ri të portit të ri tregtar ushtarak të Shqipërisë që është konceptuar dhe projektuar nga një prej ekselencat holandeze”.
“Jam shumë mirënjohës personalisht Markut për përpjekjet e tij serioze dhe bujare për të shtyrë Ballkanin Perëndimor më shumë drejt Europës. Dhe për të nxitur më tej Shqipërinë dhe RMV, ndërkohë që ne kemi bërë detyrat tona”, tha Rama.