Politika Gazetarët në protestë para Kryeministrisë: Do shohim si mundësi bojkotimin e konferencave...

Gazetarët në protestë para Kryeministrisë: Do shohim si mundësi bojkotimin e konferencave të Ramës

Gazetarë, aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile janë mbledhur sot përpara kryeministrisë për të protestuar kundër sjelljes së kryeministrit Edi Rama, ndaj gazetarit Klevin Muka, të cilin e ka ndaluar të marrë pjesë në konferencat e tij për shtyp në tre muajt e ardhshëm.

Kreu i Unionit të Gazetarëve Aleksandër Çipa, gjatë fjalës së tij tha se do të kërkojë një shkresë zyrtare nga Kryeministria për përjashtimin e gazetarit nga konferenca dhe më pas gazetarët do shohin si opsion dhe bojkotin e konferencave.

“Unioni i Gazetarëve nesër do të paraqesë një kërkesë zyrtare për të zbardhur fjalën e Kryeministrit në Konferencë. Sepse e shkruara mbetet.

Agjencia për Informim pranë kryeministrit, të na japë një letër zyrtare ku përjashton zyrtarisht dy reporterët tanë nga pjesëmarrja në konferencat.

Pas kësaj presim reagimin e Komisionerit Publik. Pavarësisht se zgjidhet nga Parlamenti, komisioneri është në shërbim të interesit publik. Jemi para një incidenti që s’ka ndodhur më parë. Pastaj të shohim bojkotin e konferencave”– tha Çipa.