Bota Avioni ukrainas me lëndë eksplozive rrëzohet në Greqi

Avioni ukrainas me lëndë eksplozive rrëzohet në Greqi

Një avion ukrainas është rrëzuar dje në mbrëmje në afërsi të Kavalas në Greqi. Avioni i mallrave tip Antonov ishte nisur nga Nishi i Serbisë për në Jordani dhe transportonte rreth 12 tonë lëndë eksplozive.

Nga informacionet e para mësohet se në bord ishin 8 anëtarë të ekuipazhit, të gjithë ukrainas të cilët dyshohen se kanë vdekur.

Sipas mediave greke pak para se të rrëzohej ekuipazhi kishte njoftuar kullën e kontrollit të Athinës se ka pësuar defekt dhe kërkoi të bënte ulje emergjente në aeroportin e Kavalës.

Duket se kjo nuk ka qenë e mundur pasi nga banorët vendas janë xhiruar pamje që tregojnë avionin të drejtohet me shpejtësi drejt sipërfaqes së tokës dhe një shpërthim i fuqishëm ka shoqëruar përplasjen.

Shpërthime të fuqishme kanë vijuar gjatë gjithë natës ndërsa sot në mëngjes situata është e qetë.

Gjithsesi forcat e policisë greke kanë mbajtur larg banorët dhe mediat pasi ende nuk dihet me saktësi se çfarë lënde kishte avioni. Edhe zjarrfikësit janë në vendngjarje, por nuk kanë ndërhyrë.