Aktualitet Deklaroi se ia kishte marrë kushëririt, skafi që vrau vogëlushen në pronësi...

Deklaroi se ia kishte marrë kushëririt, skafi që vrau vogëlushen në pronësi të komisarit Arjan Tase. Drejtonte aktivitetin e skafeve

Skafi që i mori jetën vogëlushes 7-vjeçare, Jonada Avdiaj, dyshohet se është në pronësi të shefit të policisë Arjan Tase.

Burime për News 24, informuan se Arjan Tase, i cili shkaktoi tragjedinë e rëndë duke përplasur për vdekje vajzën në sy të familjarëve të saj mesditën e martës, nuk e kishte deklaruar në emër të tij mjetin lundrues.

Por mësohet se ai e kishte vendosur në pronësi të një personi nga Elbasani, ndërkohë që skafi ishte i tij.

Ish-shefi i Komisariatit të Himarës deklaroi gjatë dëshmisë në polici pas arrestimit se skafin ia kishte marrë djalit të xhaxhait të tij në Porto Palermo.

Megjithatë, rezulton se Arjan Tase ishte i përfshirë në këtë aktivitet së bashku me kushëririn e tij.

Ndërkohë policia nuk ka dhënë asnjë deklaratë rreth pronësisë së motorskafit dhe kush e drejtonte biznesin në bregdetin e Potamit.

Tase ka deklaruar para efektivëve se skafi ka marrë gaz në mënyrë të menjëhershme dhe ka bërë një rrotullim duke goditur 7-vjeçaren.

Ai është shprehur se në mëngjes kishte shkuar me makinë në Porto Palermo për t’i marrë djalit të xhaxhait mjetin lundrues dhe se vetë kishte leje për drejtimin e skafit.

Tase kishte udhëtuar me gomone nga Porto Palermo në drejtim të Potamit ku do merrte gruan dhe fëmijët për t’i nxjerrë shëtitje në det, por shkaktoi tragjedinë.