Në kuadër të projektit të rindërtimit për banesat e shembura pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 në vendin tonë, kryeministri Edi Rama ka qenë i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të shtëpive të reja për 199 familje të prekura nga fatkeqësia natyrore.
Gjatë fjalës së tij, Rama është ndalur dhe tek aksioni i qeverisë shqiptare për konfiskimin e ndërtimeve pa leje.
“As pallatet nuk u bënë brenda ditës dhe as kultura e ligjit nuk ndryshon brenda ditës. Kur ne e nisëm këtë rrugë dhe kur filluam t’i vëmë fre ndërtimeve pa leje, në Tiranë nuk kishte asnjë pallat të vetëm pa shtesa, ndërkohë që sot këto raste flagrante janë pak. Janë pak dhe janë shumë pak në raport me tërësinë e veprimtarisë që zhvillohet. Janë raste brutale arrogante. Ne nuk mundet dot të mos lejojmë dhe të shembim ndërtimet pa leje në fshat apo të njerëzve që sidoqoftë nuk i bëjnë për të fituar. Nuk ka pazar të prishur. Ky është një mësim për ata që më akuzojnë për fitime imagjinare. Nga ana tjetër është shumë e rëndësishme që të mos e harrojmë se kjo nuk është një histori shqiptare, kjo është një histori e re, e shkurtër e frenimit. Ky fenomen jo vetëm nuk u luftua, por u duartrokit dhe kështu u rritën kostot e të gjithëve bashkë, u rritën kostot për komunitetet”, tha Rama.
Kryeministri Rama është shprehur se është koha për t’i vënë vulën dhe për të mbyllur kapitullin e ndërtimeve pa leje. Për këtë, Rama tha se do të vendosen kontrolle të detajuara çdo 45 ditë gjatë ndërtimit të pallateve që katet që mos vihen më shumë se janë në leje.
“Është koha për t’i vënë vulën përfundimtare dhe për ta mbyllur këtë kapitull që të mos ketë zhvillues që kur të marrë lejen, të bëjë dhe 1, 2, 3 kate dhe të gjejë rrugën për t’i legalizuar. Ne do ta shtrëngojmë akoma më shumë. Do të vendosim kontrolle të detyruara çdo 45 ditë gjatë ndërtimit të pallateve në mënyrë që katet mos hidhen dhe pastaj kur shikohen është vonë. Ky do të jetë një mësim i mirë sepse ka qenë e mundur që disa gjëra të ndalohen. Ky është një operacion që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë. Tirana ka problematikën më të vogël në këtë drejtim. Nëse ne duam ta çojmë në zero rritjen e ndërtimeve pa leje, mund të duket paradoksale por e kemi më të lehtë në Tiranë sepse sasia është më e vogël, ndërsa kur e nisëm ishte marramendëse. Ka zona të tjera sidomos në bregdet. Ajo që keni parë është vetëm fillimi i një procesi. Operacioni do të shtrihet dhe të njëjtën gjë do të bëjmë dhe me qendrat e biznesit pa leje dhe në të gjithë këto metra katorë, populli do të marrë pjesën e vet. Ata që janë përgjegjës, ata shefa komisariate, që në zonat e të cilëve është më e lehtë të kapësh një katunar Tirane si puna ime, mua s’më kanë kapur se e kam 100% me leje, ndërkohë në zona ku ndërtohen kate apo metra, nuk shkon askush. Është detyra e Policisë së Shtetit në radhë të parë. Ajo që është fatkeqësi është se persona të implikuar dhe me bekim të shefave të komisariateve”.