Një burrë në Australi ka vdekur pasi është sulmuar nga kanguri që mbante si kafshë shtëpiake. Viktima, 77 vjeç, u gjet të hënën nga një i afërm në banesën e tij në Redmond, rreth 400 kilometra në jug të Perth.
Kur ambulanca mbërriti në shtëpinë e të ndjerit, kanguri nuk i lejoi që të afroheshin, duke detyruar policinë që ta vriste me armë zjarri. Një zëdhënës i autoriteteve tha se burri ishte sulmuar nga kanguri atë mëngjes dhe kishte vdekur në vend.
Në Australi jetojnë rreth 50 milionë kangurë, të cilët mund të peshojnë deri në 90 kg dhe të arrijnë 2 metra gjatësi. Por sulmet ndaj njerëzve janë tepër të rralla, ky ishte rasti i parë i vdekjes nga një kangur që prej vitit 1936.
Eksperti i sjelljes së marsupialëve, Graeme Coulson, tha për Australian Broadcasting Corporation (ABC) se kangurët kanë disa armë, si dhëmbët e mprehtë, apo grushtet dhe shqelmat e fuqishëm. “Sigurisht që nëse ata ndihen të stresuar, reagimi mund të jetë i rrezikshëm”, tha Coulson. “Duke qenë se edhe njeriu qëndron mbi dy këmbë, kangurit mashkull kjo mund t’i duket si sfidë”.