Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kërkon nga autoritetet kompetente që të parandalojnë krimet zgjedhore.
Në një letër drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, SPAK-ut dhe Policisë së Shtetit, KQZ bën thirrje që këto institucione të marrin masa për të mos lejuar krimet zgjedhore.
“Në njohje dhe respektim të kompetencës dhe të përgjegjësisë ligjore të secilit prej institucioneve që ju drejtoni, si dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj nevojën për të koordinuar ushtrimin e këtyre përgjegjësive me qëllim parandalimin dhe evidentimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve në mënyrë efikase, më së paku në raport me kohën. Kjo, për përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023. Mbi sa më lart, rekomandojmë të caktohen dhe të njihen reciprokisht kontaktet përkatëse, të posaçme, pritëse dhe dërguese të informacioneve të rastit. Kjo veçanërisht për periudhën nga sot deri në përfundimin e procesit të numërimit të votave”, thuhet në letrën e KQZ.
Zgjedhjet vendore mbahen të dielën e 14 Majit.