Kryesore A ndiheni i shitur nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndihem i braktisur, vlerësoj...

A ndiheni i shitur nga Rama? Gjiknuri: Nuk ndihem i braktisur, vlerësoj lidershipin e tij

Dy ditë më parë gjatë Asamblesë Kombëtare të PS-së, kreu i selisë rozë, Edi Rama njoftoi largimin e Damian Gjiknurit nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm. Në këtë post u komandua Blendi Klosi.

Sot, Gjiknuri ia kaloi detyrën Klosit në një konferencë për shtyp që u zhvillua në selinë e PS-së. Në fund, ai u pyet nëse ndihet i shitur nga kreu i partisë, Edi Rama. Gjiknuri u shpreh se nuk ndihet i braktisur nga kryeministri Edi Rama, përkundrazi e respekton vendimin dhe e vlerëson lidershipin e tij.

Pyetje: Që nga e mërkura kur kryetari i partisë komunikoi largimin tuaj nga detyra, me siguri i keni ndjekur në rrjet një sërë tezash të hedhura në publik. Dëshiroj t’ju pyes, së pari a ndiheni i shitur nga kryetari i partisë suaj dhe së dyti a jeni marrë në pyetje për çështjen e inceneratorëve dhe a jeni në hetim për këtë çështje sipas dijenisë suaj?

Damian Gjiknuri: Unë kuptova që befasia për disa e këtij lajmi dhe interesi që shkakton në rrjete sociale nuk besoj se duhet të përcaktojë boshtin nga duhet të orientohet koshienca ime, apo mendimi i atyre që i dinë shumë mirë punët në PS. Unë e thashë pak më parë, pas çdo procesi zgjedhor i nënshtrohemi një procesi riaftësimi, procesi analize. Këtë vendimmarrje unë e lidh edhe me këtë proces, natyrshëm pa mohuar rezultatet e mira që kjo parti ka arritur, edhe unë me kontributin tim modest kam kontribuuar dhe do të vazhdoj të kontribuoj, pasi i jam bashkuar kësaj partie kur ka qenë në opozitë, jo kur partia ishte në pushtet. Nuk e quaj fare në ato terma që do ta thoni, por mua fundi i diçkaje është fillimi i diçkaje të re dhe jeta më ka mësuar të jem gjithmonë para “të papriturave”, që duhen parë jo vetëm në kontekstin e kohës, por vendimmarrja duhet marrë në efekte që sjellin në terma afatgjatë. Njeriu e ka të pamundur që për momentin kur ndodh diçka të kuptojë dimensionin e vendimmarrjes. Do dojë shumë kohë për të kuptuar se çfarë të mirash sjell kjo vendimmarrje. Unë jam mësuar me akuza, nuk është hera e parë që jam akuzuar. Fatkeqësisht mbase edhe prej personalitetit tim deri diku të fortë. Asnjëherë nuk duhet të flasim me terma absolutë për veten tonë. Unë jam akuzuar gjithmonë. Akuzohesha për 600 mln Euro të CEZ-it sikur i kisha vjedhur. Çështja u gjykua deri në Gjykatën e Lartë dhe e vërteta doli dritën për diell. Nuk është hera e parë që akuzohemi për akuza të karakterit politik. Ka vetëm një drejtësi që i gjykon dhe i vlerëson këto gjëra. Jo vetëm opinioni publik i krijuar nga vatra të ndryshme politike, sepse diversiteti politik tashmë është përhapur shumë. Për fat ka vetëm një drejtësi dhe ligji e organet e drejtësisë do të flasin të vërtetën e tyre. Personalisht nuk ndjej asnjë lloj braktisje. Unë jam në komunikim të vazhdueshëm me kryetarin e partisë. Kam një marrëdhënie konstante me kryetarin e partisë prej 15-20 vitesh. Kemi një marrëdhënie që shumë kolegë e dinë, është një marrëdhënie e qëndrueshme pune në afërsi dhe distancën aq sa duhet dhe aq sa lejon pozicioni i gjithsecilit. E respektoj vendimmarrjen e tij, e vlerësoj patjetër lidershipin e tij dhe natyrshëm mundësitë që më ka dhënë në mënyrë të vazhdueshme gjatë karrierës sime.

Sa i përket hetimit, të them të drejtën ky hetim ka vite që ka filluar. Ju e dini që dosja e inceneratorëve ka mbi dy vjet e ca që ka filluar hetimi. Nuk më kanë thërritur ndonjëherë. Në çdo moment që do më thërrasin natyrshëm do të jap shpjegim, por e kam shpjeguar edhe herë të tjera, e keni parë edhe në Komisionin Hetimor. Roli i ministrit të Energjisë ka qenë shumë periferik, nuk ka pasur asnjë kompetencë direkte, por kjo nuk do të thotë që unë politikisht dhe me bindjen time mendoj që ato vepra janë të gabuara. Ato vepra janë në dobishmëri të publikut dhe ne për shkak të hijeve, apo dritëhijeve në lidhje me procedurën, nuk kemi pse të vrasim ato që janë më të rëndësishme që ato vepra, sot në Elbasan, Elbasani është një impiant që funksionon, prodhon energji, përpunon mbetje dhe ka zgjidhur një problem të Elbasanit. Nga kjo pikëpamje nuk ndjej asnjë lloj shqetësimi. Jam shumë i hapur për çdo lloj sqarimi siç kam bërë dhe në komision hetimor qoftë në lidhje me njohjet me njerëzit, qoftë në lidhje me vendimmarrjet e mia administrative.