Një pushues nga Kosova mbeti i plagosur me thikë mbrëmjen e kësaj të enjteje në Kune të Shëngjinit. Ngjarja ndodhi pas një sherri mes dy personave, të dy nga Kosova, për shkaqe dhe në rrethana ende të paqarta.
I plagosuri, i identifikuar si Selim Bllaca, 59-vjeç, është dërguar në Spitalin e Lezhës për ndihmë mjekësore. Ai raportohet se është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pritet të niset drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.
Autori i dyshuar i kësaj plagosje është 66-vjeçari Hazir Berisha, i cili u vu në pranga nga policia e Lezhës. Kjo e fundit, në një njoftim për mediat tha se po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.
“Rreth orës 21:00, në Shëngjin, pas një konflikti të çastit, shtetasi kosovar Hazir Berisha 66 vjeç, ka plagosur me thikë shtetasin Selim Bllaca 59 vjeç, banues po në Kosovë. I dëmtuari është dërguar në Spitalin Rajonal Lezhë, për tju nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale. Falë veprimeve të shpejta hetimore operacionale, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 66-vjeçarit, si autor i dyshuar si dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i armës së ftohtë ( thikës) e dyshuar e përdorur nga autori. Vijojnë veprimet hetimore nga grupi hetimor për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj“, tha dhe policia e Lezhës.