Pas humbjes në Tiranë, Polonia ka vendosur të largojë trajnerin Fernando Santos. Aventura e portugezit në krye të stolit zgjati vetëm 5 ndeshje në kualifikueset e Euro 2024. Ai u akuzua si fajtori kryesor për rënien e skuadrës, që ka humbur shanset për tu kualifikuar në aktivitetin më të rëndësishëm kontinental.
Sipas mediave polake, federata e futbollit në Poloni e ka marrë vendimin dhe po punon që zgjidhja e kontratës të realizohet me klas, për ta bërë sa më pak të dhimbshme ndarjen. Për prishjen e marrëveshjes me Santos, polakët mund të jenë të paguajnë rreth 320 mijë euro, pagën e dy muajve të mbetur të marrëveshjes me trajnerin.
Në dekadën e fundit, fati i trajnerit luzitan ka qenë i lidhur ngushtë me Kombëtaren shqiptare. Pas fitores historike të Shqipërisë në Portugali, në vitin 2014, Santos u emërua në krye të stolit përfaqësueses. Me portugezët ai fitoi dy trofe ndërkombëtarë, Euro 2016 dhe Nations League në vitin 2019.
Shqipëria ndikoi sërish në karrierën e 68-vjeçarit, por në anën e kundërt. Pas sherrit me Cristiano Ronaldon në përfaqësuese dhe dështimin në stolin e Polonisë, kuqezinjtë mund të kenë vulosur pensionin e parakohshëm të Fernando Santos.
Pas sfidës së ‘Air Albania’, Santos ka pranuar se nuk do të heqë dorë nga kontrata që ka me Poloninë dhe tani topi mbetet në fushën e federatës.
“U përpoqëm deri në fund dhe nuk e humbëm vullnetin tonë. Ky është futbolli, lojtarët nuk e meritonin këtë rezultat. Nuk mund të jem i sigurt se nuk ka asnjëherë diçka precize. Megjithatë, besoj në suksesin e misionit, por nuk varemi vetëm nga vetja. Unë nuk jam lloji i trajnerit që të heq dorë. Jam i gatshëm të vazhdoj bashkëpunimin. Gjithçka varet nga federata. Nëse presidenti vendos që ndryshimi është më i mirë sigurisht që jam në dispozicion. Megjithatë besoj ende te kualifikimi në Euro 2024”.
Në rast largimi, Fernando Santos do të ishte trajneri më jetëshkurtër në historinë e kombëtares polake. 68-vjeçari debutoi në stolin e kombëtares më 24 mars të këtij viti, duke regjistruar vetëm 2 fitore dhe tre humbje në kualifikueset e Euro 2024.