Bota Sulm terrorist para ministrisë së Brendshme në Ankara, momenti kur kamikazi hedh...

Sulm terrorist para ministrisë së Brendshme në Ankara, momenti kur kamikazi hedh veten në erë (VIDEO)

Një sulm terrorist e ka cilësuar Turqia incidentin e ndodhur mëngjesin e kësaj të diele para godinës së Ministrisë së Brendshme, ku një person hodhi veten në erë dhe një tjetër u neutralizua nga forcat e sigurisë.

Në lidhje me sulmin e ndodhur në lagjen Çankya të Ankarasë, aty ku ndodhet edhe Parlamenti turk, ministri i Brendshëm Ali Yerlikaya ndau detaje në rrjetet sociale duke sqaruar se ka pasur shkëmbim zjarri me dy terroristët.

“Rreth orës 09:30, dy terroristë që erdhën me një mjet para portës së hyrjes së Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë së Ministrisë sonë të Punëve të Brendshme, kryen një sulm me bombë. Njëri nga terroristët hodhi në erë veten dhe terroristi tjetër u neutralizua. Gjatë zjarrit kanë mbetur të plagosur lehtë dy policë. I uroj shërim të shpejtë heronjve tanë. Lufta jonë do të vazhdojë pa pushim derisa terroristi i fundit të neutralizohet”, tha Yerlikaya.

Pas incidentit, hyrjet dhe daljet në Parlament u ndaluan përkohësisht, ndërsa Zyra e Kryeprokurorit Publik të Ankarasë nisi një hetim.

Sipas mediave turke, njëri nga terroristët kreu një sulm me armë me rreze të gjatë dhe më pas hodhi veten në erë. Tjetri po ashtu ka qëlluar me të njëjtin tip arme, por është neutralizuar nga rojet e sigurisë.

Mësohet se terroristin e neutralizuar është i pajisur me bombë, e cila do të çaktivizohet për t’u shpërthyer në mënyrë të kontrolluar nga xhenierët e policisë turke.

“Do të merren masat e nevojshme të sigurisë në lidhje me incidentet e dyshimta rreth Ministrisë së Brendshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë, si dhe do të kryhet një shpërthim i kontrolluar për asgjësimin e bombave nga ekipet tona. Njoftohen qytetarët që të mos panikosen”, thuhet në një deklaratë të Drejtorisë së Përgjithshme të Sigurisë së Ankarasë.