Edhe ky sesion i ri parlamentar nisi me tensione. Praninë e presidentit Bajram Begaj për të mbajtur një fjalë në këtë seancë, opozita e pa si provokim. Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi në një prononcim për gazetarët pas përfundimit të seancës tha se ndihej i keqardhur dhe i zhgënjyer.
Duke e cilësuar akt të rëndë praninë e presidentit në një kohë kur sipas Bardhit, është e ditur që parlamenti nuk funksionon, ai u shpreh se me praninë e tij Begaj i bëri atentat Kushtetutës.
“Sa i takon seancës së sotme ne jemi njohur nëpërmjet medias që presidenti do jepte një mesazh. Zyrtarisht, unë shpreh keqardhjen është njoftuar që Kuvendi prej më shumë se 3 muajsh është në një mosfunksionim normal të tij për shkak të mohimit të të drejtave kushtetuese të opozitës. Dhe prezenca për herë të parë, edhe pse opozita kishte njoftuar vijimin e këtij aksioni, në një hapje të një sesioni parlamentar, se presidenti nuk është zgjedhur tani. Ky akt i sotëm ishte një provokim i ulët i presidentit ndaj opozitës në kuvendin e Shqipërisë. Unë i bëj thirrje të heqë dorë nga sjellja si palë, si i njëanshëm dhe si vartës i mazhorancës dhe të respektojë kolltukun e presidentin. Nëse presidenti me sjellje dhe aktet e tij, dëshiron të dalë hapur si vartës i Edi Ramën duhet ta dijë që për opozitën shqiptare do trajtohet si vartës i Edi Ramës. Por Presidenti i Republikës u soll sot si i verbër që nuk ka parë që parlamenti nuk funksionon dhe kjo është shumë shqetësuese që një institucion kushtetues i konce4ptuar nga kushtetuta si kreu i shtetit, si përfaqësues i unitetit të popullit luan rolin e të verbërit. Nuk e kam pritur kurrë nga presidenti për atë rol që ai ka nga kushtetuta e vendit.
Lutja ime për të është të heqë dorë nga sjellja e tij si palë, si përfaqësues i Edi Ramës, në të kundërt do të trajtohet si ministër i propagandës i Edi Ramën në presidencë. Nuk e sulmova presidentin, konstatova atë që bëri. U soll si i verbër që nuk ka dijeni për situatën në parlamentin e Shqipërisë. Unë shpreha keqardhjen, nuk e kisha sulm. Që kreu i shtetit, përfaqësuesi i unitetit të popullit ishte sjellë në seancë për të provokuar opozitën. Ky është një akt i rëndë, është një atentat që presidenti i republikës ka bërë ndaj Kushtetutës së republikës së Shqipërisë dhe roli i tij si garant i kushtetutës dhe mbi palët politike. Sa i takon zgjidhjes së krizës nuk ka nevojë të shpikim dhe të sajojmë mjafton të respektojmë kushtetutën dhe rregulloren e parlamentit. Duke respektuar këtë kriza është e zgjidhur”.