Policia e Tiranës ka zbardhur atentatin të ndodhur dy vite më parë në “Don Bosko”, ku mbeti i vrarë Erion Çela dhe u plagosën 4 persona të tjerë. Siç deklaroi drejtori i Policisë Tiranë Tonin Vocaj, autorët kanë ngatërruar objektiv.
Vrasja ishte porositur nga Kasandër Noga i cili i “besoi” organizimin e atentatit Kevin Suçit. Ky i fundit pagoi persona të tjerë për të vrarë Geron Hasanbelliun dhe nipërit e tij. Por në vend të tyre, u ekzekutua me kallashnikov 35-vjeçari Erion Çela.
Noga aktualisht ndodhet në burg në Belgjikë i dënuar për tentativë vrasjeje. Vocaj deklaroi se për t’i shkuar deri në fund kësaj ngjarjeje, autoritetet vendase do kërkojnë ekstradimin e tij në Shqipëri.
“Është fakt që indicia për një hetim të kësaj ngjarjeje ka rrjedhur nga hetimet që Prokuroria e Durrësit ka iniciuar në momentin e arrestimit të vëllezërve Beqiraj. Kuptohet që procedimet penale për ngjarjen janë ndjekur të ndara, policia e Tiranës e ka analizuar me detaje të gjitha deklarimet e tyre të cilat kanë qenë mjaft të rëndësishme për fillimin e hetimeve në rrugën e duhur për ndjekjen e këtij procedim penal. I falenderoj kolegët tanë në Durrës, gjithashtu dhe prokurorët për gjithë punën në interes të ngjarjes. Sa i përket ekstradimit, Kasandër Noga ndodhet i dënuar në Belgjikë për tentativë vrasjeje, dhe kuptohet në interes të këtij hetimi, nga autoritetet tona do të kërkohet ekstradimi i tij në Shqipëri”, përfundoi Vocaj.