Aktualitet Sherri mes Princit Leka dhe Elia Zaharias, Oborri Mbretëror akuzon policinë për...

Sherri mes Princit Leka dhe Elia Zaharias, Oborri Mbretëror akuzon policinë për shpërndarjen e videos

Oborri Mbretëror ka reaguar pas publikimit të videos gjatë së cilës shfaqet Princi Leka, gjatë një konflikti me ish-bashkëshorten e tij, Elia Zaharia. Oborri Mbretëror shpreh “thellësisht zhgënjimin nga institucionet ligjzbatuese te të cilat dyshojmë se kanë cënuar të drejtën e anonimitetit, duke shpërndarë videot te të tretë”.

Reagimi i Oborrit Mbretëror:

“Përshëndetje, siç edhe jeni informuar, Princ Leka pasditen e 5 marsit është sulmuar fizikisht me sende të forta nga ish-bashkëshortja dhe ish-vjehrri i tij dhe videot e këtij momenti janë bërë publike në rrjetet sociale.

Videot janë dorëzuar vetëm në komisariatin e policisë nga Princ Leka ll Zogu, si provë materiale për dhunën e ushtruar ndaj tij, por pavarësisht se janë konsideruar si një sekret, këto materiale, së bashku me deklaratën, qarkulluan gjerësisht në rrjetet sociale dhe në medie duke përcjell imazhe të pakëndshme dhe me përmbajtje dhune. Oborri Mbretëror shpreh thellësisht zhgënjimin nga institucionet ligjzbatuese te të cilat dyshojmë se kanë cënuar të drejtën e anonimitetit, duke shpërndarë videot te të tretë.

Gjithashtu Oborri Mbretëror kërkon ndërhyrjen e policisë dhe institucioneve përkatëse për fshirjen e këtyre imazheve nga rrjetet sociale dhe nga mediet.”