Sport Interi nuk di të ndalet, fiton edhe në Bolonjë dhe shkon +18...

Interi nuk di të ndalet, fiton edhe në Bolonjë dhe shkon +18 mbi Juventus

Inter kalon edhe në Bolonja duke marrë fitoren e 13 në 13 ndeshje të 2024 (10 radhazi në Serie A) dhe shkon +18 mbi Juventus.

Këtë të shtunë, zikaltrit morën 3 pikët në transfertën e Bolonjës, takim i vlefshëm për javën e 28-të të Serie A, duke e festuar në mënyrën më të bukur ditën e 116-vjetorit.

Ndeshja e luajtur në “Stadio Renato Dall’Ara” rezultoi shumë e luftuar, ndërsa në fund ishte skuadra e Inzaghit ajo që festoi.

Në minutën e 37’, pas asistit të dhuruar nga Bastoni, Bisseck shënoi me një goditje të fortë me kokë dhe u dha avantazhin miqve.

Ndërsa në fraksionin e dytë, pavarësisht rasteve të shumta nga të dyja anët nuk u shënua asnjë gol tjetër, duke bërë që ndeshja në fund të mbyllej me rezultatin 0-1.

Sa i përket mesfushorit të kombëtares shqiptare të futbollit, Kristjan Asllani e nisi këtë takim nga stoli dhe u aktivizua në minutën e 61’, duke treguar edhe këtë mbrëmje një formë të mirë.

Pas javës së 28-të të Serie A, Bolonja renditet në vend të katërt me 51 pikë, teksa Inter kryeson me 75 pikë.