Aktualitet Masakra në Frosinone, hetuesit dyshojnë për përplasje mes bandave shqiptare

Masakra në Frosinone, hetuesit dyshojnë për përplasje mes bandave shqiptare

Zjarrfikësit italianë janë duke kërkuar në lumin Koza pranë Frosinones armën me të cilën u vra shqiptari 27-vjeçar Kasem Kasmi dhe u plagosën 3 të tjerë mbrëmjen e së shtunës.

Ishte autori 23-vjeçar Mikea Zaka që u tha hetuesve se pistoletën e hodhi në lumë pasi masakrës në një lokal të zonës.

Hetuesit u janë rikthyer edhe një herë pamjeve të kamerave të sigurisë në lokalin ku ndodhi ngjarja.

Kjo pasi Zaka këmbëngul se arma nuk ishte e tij dhe se atë ia kishte rrëmbyer viktimës që e kishte sulmuar i pari së bashku me vëllain dhe 2 miqtë e tij.

Në filtër po kalojnë edhe motivet. Hetuesit nuk janë të bindur nga fjalët e autorit se shkak ishte një vajzë kjo pasi 23-vjeçari ka qenë nën hetim për trafik droge dhe gjatë një ndalimi pak muaj më parë i janë gjetur 20 mijë euro Cash. Ansa raporton për një përplasje mes bandave.

Në gjendje të rëndë në spital është edhe vëllai i viktimës, Ervini ndërsa dy miqtë e tyre janë jashtë rrezikut për jetën.