Kryesore Pse Finlanda është shumë më e përgatitur se vendet e tjera europiane...

Pse Finlanda është shumë më e përgatitur se vendet e tjera europiane ndaj luftës së Rusisë

Nga Minna Ålander

Mbrojtja kombëtare e Finlandës, bazohet në vetëdijen se në kufirin lindor të vendit ekziston një burim i madh rreziku, një kërcënim i përhershëm: Rusia. Kështu ka qenë gjithmonë në atë anë të kufirit, dhe ndër shekuj prej andej i kanë ardhur problemet më të mëdha.

Pikërisht për këtë arsye, edhe pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, Helsinki nuk e ndryshoi shumë qasjen e tij ndaj vlerësimeve mbi kërcënimin rus. Ai ka vazhduar të mbajë në fuqi një sistem të mbrojtjes kolektive, përballë vendeve të ndryshme që gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në dallim nga shumica e shteteve të tjera evropiane, Finlanda nuk e ka hequr kurrë praktikën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Megjithëse ka pak trupa profesionaliste – kryesisht anëtarë të forcave ajrore dhe marinës – Helsinki mund të mbështetet tek një personel aktiv prej 280 mijë trupash, që mund të vendosen me shpejtësi në front në rastin e shpërthimit të luftës.

Ndërsa rezervistët e trajnuar janë në total mbi 900 mijë. Edhe pse për arsye logjistike dhe stërvitore, këta duan më shumë kohë për t’u dërguar në front, ky numër është numër i barabartë me rezervistët e ushtrisë gjermane, Bundeswehr, por në një shtet me vetëm 5.5 milionë banorë.

Forcat Finlandeze të Mbrojtjes (FDF), arrijnë të trajnojnë rreth 23 mijë rekrutë çdo vit, dhe shërbimi ushtarak është i detyrueshëm vetëm për burrat dhe vullnetar për gratë. Sa i përket aftësive, Helsinki krenohet se ka një nga arsenalet më të mëdhenj të artilerisë në Evropë por edhe një forcë ajrore të mirë-pajisur

Që nga vitit 2026, avionët F/A 18 Hornets që përdoren sot, do të zëvendësohen nga 64 avionë luftarakë amerikanë F-35. Në vitin 2011, Finlanda bleu raketa me rreze të gjatë veprimi AGM-158 JASSM nga Shtetet e Bashkuara, duke u bërë bashkë me Poloninë dhe Australinë, të vetmet vende që i kanë këto armë përveç vetë SHBA-së.

Por Helsinki ka investuar shumë edhe në mbrojtjen ajrore. Shembulli më i fundit janë pajisjet raketore “David Sling” të prodhuara nga Izraeli. Por që në fillim të viteve 2000, Finlanda kishte investuar në blerjen e raketave M270 MLRS, sistemi i të cilave po përditësohet muajt e fundit.

Me pak fjalë, pushtimi rus i Ukrainës ka nxjerrë në pah të gjithë kapacitetin ushtarak të zhvilluar nga Finlanda në 20 vitet e fundit, edhe sepse Helsinki zotëron shumë nga ato që i nevojiten shumë Kievit në këto momente.

Në veçanti, ka një forcë e madhe tokësore rezervistësh, afro 200 tanke Leopard A24 dhe A26 MBT, artileri të rëndë (përfshirë sistemet e armëve raketore me rreze të gjatë, forca ajrore në gatishmëri të lartë një mbrojtje të gjerë ajrore). Nga ana tjetër, marina është e specializuar në operacione në shtratin e cekët të detit Baltik dhe në arkipelagë.

Ajo ka aftësi të jashtëzakonshme në përdorimin e minave detare dhe bashkëpunon ngushtë me Suedinë, me të cilën tashmë ka krijuar disa njësi të përziera. Por mbrojtja ushtarake është vetëm maja e ajsbergut. Strategjia e sigurisë së Helsinkit përfshin gjithashtu ekonominë, infrastrukturën, furnizimet, sigurinë civile dhe qëndrueshmërinë sociale të popullsisë. Gjithçka në Finlandë shihet përmes “lentes” së sigurisë. Çdo ndërtesë që e tejkalon një madhësi të caktuar – përfshirë të gjitha godinat e banimit dhe objektet publike – duhet të pajiset me një strehim ndaj një sulmi ajror. Vetë kryeqyteti është i pajisur me një sistem tunelesh, të cilat mund të strehojnë deri në 900 mijë njerëz – pra më shumë se popullsia aktuale e qytetit.

Planet për ndërtimin e të gjitha urave të pozicionuara në pika strategjike, përfshijnë mundësinë e vendosjes së ngarkesave shpërthyese, për të penguar përparimin e armikut në rastin e një sulmi të mundshëm. Për më tepër, Finlanda ka gjithmonë sasi të mëdha rezervash emergjente, që përmbajnë të gjitha furnizimet e mundshme që duhen për t’u përballur si duhet me një situatë krize.

Këtu përfshihen drithërat, ilaçet dhe karburantet për skenarë konflikti që zgjasin disa muaj. Dhe që nga 24 shkurti i vitit 2022, Helsinki nuk ka reshtur kurrë së grumbulluari më shumë furnizime. Popullatës i kërkohet që të mbajë në shtëpi furnizime për të paktën 3 ditë.

Me një territor të madh dhe me një popullsi shumë të vogël, siguria kombëtare në Finlandë konsiderohet si një përpjekje e gjithë komunitetit, e plotësuar me angazhime kushtetuese, të cilat duhet t’i respektojë çdo qytetar për të ndihmuar në mbrojtjen kombëtare.

Të gjitha këto masa parandaluese dhe furnizime, po i vijnë në ndihmë tani që Europa po përpiqet të rrisë prodhimin e saj industrial ushtarak. Prej dy vitesh, Helsinki ka “brendësuar” proceset e prodhimit të municioneve, dhe është e destinuar të bëhet deri në vitin 2028 një nga prodhueset më të mëdha evropiane të predhave të artilerisë.

Këto ambicie, drejtohen nga një ambicie të dyfishtë:e para është rritja e rezervave rajonale të vendit dhe të gjithë rajonit skandinav dhe baltik; dhe e dyta është të qenit në gjendje të vazhdojë mbështetjen e Kievit të paktën deri në vitin 2030.

Po ashtu, forcat finlandeze të mbrojtjes morën gjithashtu fonde shtesë për blerjen e armëve si dhe nënshkruan kontrata të reja që në pranverën e 2022, duke ua kaluar vendeve të tjera. Për pasojë, rezervat e shtetit janë rritur deri në atë pikë sa duhet të zgjerohet kapaciteti i magazinimit.

Këtë vit, ushtria finlandeze do të kryejë edhe stërvitje logjistike, dhe do të aktivizojë klauzola sipas të cilave disa kompani civile do të prodhojnë furnizime të reja. Kjo vlen padyshim vetëm për ato që kanë mundësinë e shtimit të shpejtë të prodhimit, për t’u vënë në dispozicion të Forcave të Armatosura në rast krize dhe lufte.

Pra diçka që duket shumë si një version i butë i ekonomisë së luftës. Në këtë periudhë të paraluftës, disponueshmëria dhe kapaciteti i prodhimit të gjithçkaje, nga furnizimet me ushqime te makineritë, po testohen duke imagjinuar një konflikt të zgjatur, ashtu si ai në Ukrainë. Kështu, Finlanda është shumë më e gatshme se shumë vende të tjera për t’u përballuar me sfidat me të cilat do të përballet në tërësi Evropa në vitet dhe dekadat e ardhshme.

Shënim: Minna Ålander, studiuese në Institutin Finlandez të Çështjeve Ndërkombëtare./ Burimi: Linkiesta