“Ai kishte 7 muaj që e kishte blerë atë makinë me gjithë kursimet që kishte… Dhe fjalët e babait tim ishin: ‘Unë me jetë e lë taksinë…’ dhe fatkeqësisht ashtu ndodhi”.
Gjithçka ka ndodhur 29 vjet më parë. Pak kush e kujton vrasjen e një taksisti nga Fieri në vitin 1995. Thuajse të gjithë e kishin harruar. Përveç familjes dhe Policisë.
Atëherë kur autori i vrasjes mendoi se arriti t’i shpëtonte burgimit të përjetshëm, duke krijuar një jetë të re mijëra kilometra larg Shqipërisë, u rikthye i prangosur e kokulur.
Ky është Ervin Shahini, 50 vjeç, nga Tirana. Për 27 vite me radhë ai ishte në krye të listës së personave më të kërkuar nga Interpol Tirana. Madje për shumë kohë, konsiderohej si një fantazmë, pasi Policia nuk dispononte asnjë fotografi të tij, madje as gjurmët e gishtave.
Pasi vrau një taksist dhe plagosi 3 të tjerë, me qëllim për t’i grabitur në vitin 1995, ai u arrestua dhe u dënua me burgim të përjetshëm. Por izolimi i tij në burg zgjati vetëm një vit. Gjatë trazirave të vitit 1997, ai u arratis nga burgu, duke jetuar në arrati për 27 vite. Pjesën më të madhe të kohës në Amerikë dhe së fundmi në Korenë e Jugut, ku edhe ishte martuar.
Por asgjë nuk harrohet…
Arrestimi dhe ekstradimi
Mbrëmjen e 5 prillit 2024 u finalizua ekstradimi i një të shumëkërkuari nga drejtësia shqiptare, i dënuar me burgim të përjetshëm. Ai ishte arrestuar në Korenë e Jugut, në muajin janar, gjatë operacionit të koduar “Suporti”. Operacioni u realizua falë bashkëpunimit të Drejtorisë së Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Policinë e Shtetit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe autoriteteve policore të Koresë së Jugut.
Drejtori i departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Pëllumb Seferi, shpjegon ecurinë e këtij operacioni, derisa u arrit në finalizimin e tij në Seul.
Pëllumb Seferi: Shtetasi në fjalë është shpallur në kërkim ndërkombëtar në vitin 2001, pasi ishte larguar nga burgu gjatë trazirave të vitit 1997, në mars 1997. Kemi bërë shpalljen e kërkimit ndërkombëtar për këtë person dhe sipas informacioneve që kemi pasur në vitin 2001, rezultonte se ky person ishte larguar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me gjithë informacionet që ne kemi dërguar nga viti 2001 deri në vitet në vazhdim, kemi pasur një feedback në vitin 2015 në lidhje me lokalizimin e këtij personi, pro ajo që ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve ishte operacioni i organizuar nga Sekretariati i Përgjithshëm i Interpolit në korrik të vitit 2023, i cili na dha informacionin se personi në fjalë ishte larguar nga SHBA drejt Kanadasë dhe nga Kanadaja drejt Koresë së Jugut. Menjëherë me marrjen e këtij informacioni, nga drejtoria e Interpolit u bë i mundur koordinimi i të gjitha veprimeve, me Zyrën e Sigurisë së Ambasadës Amerikane, me Marshallët dhe njëkohësisht, normalisht edhe me Interpol Uashingtonin. Gjatë shkëmbimit të informacionit me agjencitë ligjzbatuese amerikane u arrit të zbërthehet gjithë itinerari dhe të vërtetohet që personi në fjalë është lokalizuar në Kore.
Policia njoftoi zyrtarisht se ne mesnatë kishte ekstraduar nga Seuli, shtetasin shqiptar Ervin Shahini, i cili mbante edhe emrin e rremë Spartak Lazaj, 50 vjeç, nga Tirana. Ervin Shahini, apo Ervin Shabani, ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit, Tiranë, më datë 4 dhjetor 1996, e ka dënuar me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vjedhja me dhunë me pasojë vdekjen”, “Vjedhja me dhunë”, kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Drejtoria e Interpolit, që prej vitit 2015, ka shkëmbyer korrespondenca të shumëfishta me zyrat homologe dhe me agjenci të tjera ligjzbatuese, me qëllim lokalizimin dhe më pas arrestimin provizor të këtij shtetasi, për ta ekstraduar në Shqipëri.
Së fundmi, është siguruar informacion se ky shtetas strehohej në Republikën e Koresë. Nga informacionet dhe verifikimet rezultoi se shtetasi Ervin Shahini përdorte identitetin e një shtetasi tjetër shqiptar, për t’iu shmangur arrestimit. Për shumë kohë ai kishte jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pas arratisjes në vitin 1997, ndërsa prej vitit 2011 mendohet të jetë zhvendosur në Korenë e Jugut, ku ishte martuar me një koreane dhe kishte mundur të merrte nënshtetësinë në vitin 2015. Atje përdorte një pasaportë me identitetin Spartak Lazaj, por në korrik të vitit 2023 është arritur të zbulohet identiteti i tij i vërtetë.
Në kuadër të operacionit “INFRA ATLAS” dhe si rezultat i shkëmbimit të inteligjencës policore, ndërmjet Drejtorisë së Interpolit, Interpol Seulit dhe Sekretariatit të Përgjithshëm të Interpolit, u finalizua operacioni policor, gjatë të cilit u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi provizor, me qëllim ekstradimin. Për një kohë të shkurtër u arrit të realizohej edhe ekstradimi i tij.
KRIMET PËR TË CILAT ËSHTË DËNUAR
Në vitin 1995, një grup të rinjsh nga Tirana, të moshave nga 18 deri në 21 vjeç, kishin krijuar një bandë grabitësish, që synonte kryesisht taksitë. Për një periudhë të shkurtër, nga maji deri në tetor të vitit 1995, ky grup, ku bënte pjesë Ervin Shsahini, Naimir Kurti, Altin Mansaku, Jonuz Zajmi dhe Gentian Kulla, realizuan disa grabitje, një prej të cilave me pasojë vdekjen dhe tre të tjera me pasojë plagosjen e taksistëve.
Gjykata e Apelit
Ndryshe nga sa çfarë pretendojnë të pandehurit në kërkesat ankimore, në seancë gjyqësore është provuar se të pandehurit Ervin Shahini, Naimir Kurti, Altin Mansaku, Jonuz Zajmi dhe Gentian Kulla janë banorë të qytetit të Tiranës dhe kane pasur njohje me njëri-tjetrin. Ata në veçanti dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin apo persona të tjerë, në vende të ndryshme dhe me persona të ndryshëm kanë kryer vjedhje të thjeshta, me dhunë e deri dhe me armë, duke sjellë edhe vdekjen e personit të vjedhur.
Në vendimin e Gjykatës së Apelit, që ka lënë në fuqi vendimin Nr. 817, të datës 22 tetor 1996, të Gjykatës së Rrethit Tiranë, shpjegohen të gjitha episodet e ngjarjeve për të cilat akuzohen Ervin Shahini dhe bashkëpunëtorët e tij.
Më datë 27 gusht të vitit 1995, Ervin Shahini, ka hipur në taksinë e Xhemali Alites nga Fieri, të cilit i ka thënë se kundrejt pagesës donte ta dërgonte deri në Durrës. Gjatë rrugës, konkretisht afër Shkëmbit të Kavajës, Shahini i ka kërkuar taksistit që të ndalonte mjetin, pasi do të dilte për nevoja personale. Në këtë moment e ka goditur disa here me thikë Xhemali Aliten. E ka nxjerrë nga automjeti duke kaluar vetë në timon dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Viktimën Xhemali Alite, e gjejnë të vdekur punonjësit e Policisë. Vajza e Alites ka qenë 13 vjeç në atë kohë dhe e kujton kështu atë moment:
Vajza e taksistit të vrarë, Xhemali Alite:
Si u informuat për ngjarjen?
Policia na ka ardhur atë natë në shtëpi. Na thanë që babi ishte në spital, ka ndodhur një aksident. Mamaja ime ka hapur derën. Ka qenë shumë vonë. Në kohën e atëhershme nuk kishte as telefona. Babi mund të bënte edhe rrugë gjatë natës dhe ne nuk e dinim. Në përgjithësi ai vinte gjithmonë në darkë, nuk bënte rrugë gjatë natës, por atë natë nuk ka ardhur. Ne e kemi pritur, e kemi pritur dhe ai nuk ka ardhur. Ka qenë herët në mëngjes, ndoshta 3 ose 4 e mëngjesit, kur ka ardhur Policia në derë. Ne kemi jetuar në Fier në atë kohë. Ne kur kemi vajtur aty… pastaj këtë nuk e mbaj mend mirë plotësisht, por mami ka vajtur diku dhe i është thënë kjo gjë.
Vetë autori i ngjarjes nuk e ka pranuar krimin, por vepra penale është provuar me shpjegimet e një dëshmitari, i cili ka qenë i pranishëm kur Ervin Shahini ka hipur në makinën e Xhemali Alites në Fier, për ta çuar në Durres. Gjithashtu edhe me shpjegimet e një tjetër dëshmitari, i cili ka blerë taksinë e viktimës, mjetin tip “Benz”, për pjesë këmbimi, duke i paguar autorit shumën prej 800 mijë lekësh të vjetra.
Xhemali Alite punonte si taksist në Fier. Ai ishte i martuar dhe kishte dy vajza, 13 dhe 11-vjeçare. Vajza e madhe e tij, e cila jeton prej 20 vitesh në Amerikë, kujton gjithçka nga ajo ngjarje.
Vajza e taksistit të vrarë, Xhemali Alite:
Unë e mbaj mend shumë mirë. Tani jam 42 vjeç dhe e mbaj mend shumë mirë. Unë kam qenë e rritur në atë kohë, plus ajo është diçka që ne e komentojmë, e flasim gjithmonë. Unë kam njohuri për çdo gjë, për atë se çfarë ka ndodhur atëherë.
Sa fëmijë jeni ju?
Dy fëmijë. Jam unë dhe motra ime.
Keni kohë që jeni larguar nga Shqipëria?
Po, ne kemi 20 vjet që jemi larguar nga Shqipëria.
Ju jetonit në Fier në atë kohë?
Po, në atë kohë babai im ka punuar si shofer, taksist, për një kohë shumë të gjatë. Gjashtë–shtatë muaj përpara sesa të ndodhte krimi, babai kishte blerë një makinë që për atë kohë ishte shumë e mirë. Ishte një Benz me vlerë monetare të mirë në atë kohë. Dhe ne na kanë thënë se ai (vrasësi) kur ka arritur te sheshi i taksive në atë kohë, ka kërkuar specifikisht për babain tim. Të paktën burimet që kanë qenë aty prezent dhe shokët e tij këtë kanë deklaruar. Ai kur ka ardhur aty ka kërkuar: Ku është Mili? Babai im e ka pasur emrin Xhemali. Ne mendojmë që ai ka qenë i shtyrë nga dikush sepse ai nuk ka vajtur thjeshtë ta merrte atë dhe të ikte, ai ka kërkuar specifikisht për babain tim. I kanë thënë që nuk është këtu për momentin dhe ai e ka pritur. Ai ka shkuar atje me një qëllim për ta takuar. Ndoshta i shtyrë nga dikush, ose ndoshta ka dëgjuar nga dikush.
Pra ju mendoni që ngjarja nuk ka qenë thjeshtë një grabitje?
Kjo ka qenë grabitje, absolutisht, ka qenë e paramenduar. Të paktën me ato burime që kemi pasur ne, që e kemi diskutuar, ai nuk ka ardhur thjeshtë të merrte taksistin e parë dhe të ikte. Ai ka ardhur, ka pyetur për Milin, ka pritur babin, sepse babi nuk ka qenë aty. Në atë kohë ka qenë duke ngrënë drekë dhe ka mbaruar drekën dhe ka shkuar. E ka marrë atë në makinë dhe i ka kërkuar që ta çonte diku në Durrës me sa mbaj mend unë.
Ku ka ndodhur ngjarja?
Tek Shkëmbi i Kavajës.
Familja e Xhemali Alites ka ndjekur në atë kohë gjyqin që zhvillohej ndaj Ervin Shahinit në Gjykatën e Tiranës. E teksa bashkëshortja dhe vajzat e tij, u duk sikur gjetën paqe pasi autori mori atë që meritonte, duke u dënuar me burgim të përjetshëm, vjen viti 1997 dhe ai arratiset nga burgu. Familja e taksistit të vrarë nisin të interesohen për vendndodhjen e tij, madje arrijnë edhe të bien në gjurmët e tij në Amerikë. Por duke mos pasur besim tek Policia nuk flasin me askënd dhe ai zhduket sërish.
Vajza e taksistit të vrarë, Xhemali Alite:
Sa vjeç keni qenë në atë kohë?
Kam qenë 13 vjeç.
Autori i ngjarjes u arrestua në atë kohë dhe u arratis në ’97…
Po sepse ndodhi ’97-a. Ne e dinim që ai kishte shkuar në Amerikë. Familja e tij jeton në Amerikë. Përveç martesës që ai ka bërë në Kore, mesa di unë ai nuk ka qenë ndonjë herë i martuar, me ato informacione që kemi dëgjuar ne. Familja e tij jeton në Miçigan.
Këto informacione i kishit para se të mësonit që ai ishte arrestuar për t’u ekstraduar?
Po.
Kishit komunikuar gjatë kësaj kohe me Policinë shqiptare?
Nuk kemi komunikuar, sepse të them të drejtën nuk e kam besuar asnjëherë që ai do të kapej. E kisha dëgjuar që ai kishte qenë në Amerikë, nga Amerika më pas ka lëvizur dhe unë nuk kisha dëgjuar më për këtë njeri. Mua më duket absolutisht si një ëndërr kjo që ai të jetë kapur, sepse unë as nuk jam interesuar më për atë njeri. Unë kam familje, kam fëmijë dhe nuk doja që të merresha më me këtë gjë, sepse e di që nuk e kisha atë fuqi që të gjeja këtë person.
Unë i jam borxhlije tërë jetën zotit ministër për këtë që ka bërë.
Unë nuk e di si të ta shpreh, por unë ndihem njeri tjetër. Për mua drejtësia e babait tim është vendosur në vend. Kjo ishte diçka që unë nuk e prisja kurrë që të ndodhte. Kjo ishte diçka që unë ndoshta do vdisja dhe do vdisja me një brengë, që ai njeri nuk e shleu dënimin e tij. Ai njeri nuk e pagoi atë veprim që bëri ndaj babait tim.
Pëllumb Seferi: Të them të vërtetën unë këtë informacion e kam marrë nëpërmjet postimeve që ministri i Brendshëm, z. Taulant Balla kishte bërë në rrjetet sociale, e kam lexuar me kujdes dhe sinqerisht ishte një letër, e cila ishte me shumë domethënie dhe me shumë kuptim. Sepse, nëse ne do ta lexojmë me kujdes dhe do të nxjerrim konkluzione, mund të them që konkluzioni është ky që: Drejtësia ndoshta vonon, por nuk harron.
Vajza e taksistit të vrarë, Xhemali Alite:
Babai im rezistoi. Unë e njihja babain tim. Ne i bënim këto biseda sepse këto ngjarje ndodhnin shpesh në atë kohë, në 95-ën. Kishte edhe taksistë të tjerë që iu ishte marrë taksia. Madje jo shumë kohë përpara se t’i ndodhte babit tim, i kishte ndodhur një taksisti që babi e njihte. Ne kemi qenë duke ngrënë drekë dhe biseda e babait tim ka qenë që, i kishin marrë taksinë një personi. Dhe mami që i thoshte që po t’i ndodhte kjo gjë edhe atij, duhej ta linte makinën, nuk duhet të rrezikosh jetën tënde. Por ai kishte 7 muaj që e kishte blerë atë makinë me gjithë kursimet që ai kishte, sepse ai atë punë kishte. Dhe fjalët e babait tim ishin: “Unë me jetë e lë taksinë. Unë nuk e lë taksinë“ dhe fatkeqësisht ashtu ndodhi.
Babai im rezistoi dhe ai prandaj e goditi. Ai e ka goditur me bajonetë. Është gjuajtur në zemër. Është gjuajtur disa herë në zemër. Po të kishte ikur, t’ia kishte lënë çelësin dhe të kishte ikur, nuk besoj se ai do ta vriste. Por atë gjë e di vetëm ai dhe babai im.
Ju keni qenë e vogël në atë kohë, por ndoshta mamaja juaj mund ta ketë ndjekur gjyqin që zhvillohej ndaj tij…
Unë kam qenë në gjyq bashkë me mamanë time. Ishte shumë e vështirë. Asnjë lloj keqardhje. Ai nuk ka treguar kurrë asnjëherë pendesë. Ai nuk ka kërkuar kurrë falje. Unë kam qenë aty dhe e kemi dëgjuar procesin e gjyqit. Unë kam qenë vetë në një seancë gjyqi dhe mamaja ime ka qenë shumë e revoltuar dhe ka vajtur e ka kapur nga gryka. E kanë mbajtur policët. Ai vetëm është ulur dhe nuk ka thënë asnjëherë asnjë gjë. Nuk ia kemi dëgjuar kurrë zërin atij njeriu.
Po personat e tjerë, me të cilët ai ka bashkëpunuar, a ishin të pranishëm në sallë?
Me sa mbaj mend unë po, kanë qenë. Por unë sytë i kisha vetëm te ky. Të tjerët kanë qenë grup. Ata kanë qenë grup që e kanë bërë këtë gjë, me sa mbaj mend, por unë nuk i mbaj mend. Vetëm fytyrën e këtij mbaj mend. Nuk e harroj kurrë. Ai ka ndryshuar shumë nga ajo kohë. Ka qenë shumë i imët, i vogël. Është e çuditshme sepse ky vjen nga një familje shumë e mirë, me sa kemi dëgjuar. Babai i tij ka vdekur këtu në Amerikë. Motra e tij është shumë njeri i mirë, me aq sa kemi dëgjuar. Ky ka qenë një fëmijë që u ka shkarë atyre nga duart.
TAKSISTËT E PLAGOSUR
Vrasja e taksistit nga Fieri Xhemali Alite, ishte ngjarja më e rëndë mes një serie grabitjesh, ku edhe 3 taksistë të tjerë mbetën të plagosur nga Ervin Shahini e bashkëpunëtorët e tij.
Më 10 korrik të vitit 1995, Shahini merr një taksi në Shkodër dhe kundrejt pagesës i kërkon që ta dërgonte në Durrës. Gjatë rrugës, në afërsi të Rinasit autori i kërkon taksistit Selaudin Hoxha që të ndalonte pak për nevoja personale. Në kohën që shoferi ndalon, Shahini e godet me thikë, i merr makinën tip “Benz” dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Edhe këtë ngjarje, ashtu si edhe vrasjen e taksistit nga Fieri, Ervin Shahini nuk e ka pranuar. Por autorësia e tij është provuar nga dëshmia e taksistit të plagosur, si dhe nga aktet e ekspertimit klinike–teknike, të datës 20 dhjetor 1995.
Po kështu, më datë 27 tetor 1995, Ervin Shahini ka marrë një taksi në Sarandë. Taksia, një automjet tip “Benz”, drejtohej nga i dëmtuari Izet Izeti, për të cilin po ashtu kishte të njëjtin plan dhe të njëjtën rrugë. Rrugën drejt Durrësit. Edhe në këtë rast i ka kërkuar taksistit ta ndalonte për nevoja personale në afërsi të “Plepave” në Durrës. Në momentin që ka ndaluar, Shahini e ka goditur me thikë dhe e ka hedhur nga makina në rrugë, duke u larguar vetë me makinë nga vendi i ngjarjes. Të njëjtën skemë ka përdorur edhe me taksistin Pëllumb Bregu më 15 maj të vitit 1995.
Nga ana tjetër, dy bashkëpunëtorët e Ervin Shahinit, Naimir Kurti dhe Altin Mansaku, të dënuar përkatësisht me 10 dhe 8 vjet burg, akuzohen se më 19 dhjetor të vitit 1995, në qytetin e Gjirokastrës, kanë marrë me taksi, shtetasin Perlat Canaj. Kundrejt pagesës i kanë kërkuar që t’i transportonte drejt Tiranës. Gjatë rrugës ata e ndalojnë automjetin dhe i hedhin taksistit një lënde paralizuese kimike në fytyrë dhe pasi e nxjerrin jashtë, e marrin mjetin dhe largohen nga vendi i ngjarjes. Fajësia e tyre është provuar edhe nga një pistolete neuroparalizuese, e cila është gjetur në shtëpinë e Altin Mansakut.
Gjykata e Apelit
Fajësia del e provuar si nga armatimi i kapur si provë materiale, pohimet e të pandehurve e dëshmitarëve dhe akt-ekspertimet teknike etj. Vendimi i Gjykatës për sa i përket masave të dënimit është i drejtë. Gjykata ka dhënë dënime në përshtatje me rrezikshmërinë shoqërore të secilës vepër të kryer nga të pandehurit, me rrezikshmëritë shoqërore të secilit të pandehur, duke pasur parasysh edhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese që parashikon ligji.
Personat e tjerë që kanë qenë pjesë e dosjes së hershme dhe e gjykimit, i kanë përfunduar dënimet e tyre. Ndërsa Ervin Shahini, i konsideruar si personi me rrezikshmërinë më të lartë, i dënuar me burgim të përjetshëm, kishte arritur të jetonte në arrati për 27 vjet.
Pëllumb Seferi: Ishte një nga personat e rrallë sepse, nëse z.Shahini do të ishte dënuar 25 vite apo 20 vite dhe për periudhën që ka kaluar, normalisht do të parashkruhej vendimi. Por në rastin konkret, personi në kërkim ndërkombëtar, ka qenë i dënuar me burgim të përjetshëm dhe kjo ka bërë që statusi i tij të mos ndryshojë asnjëherë, ka qenë gjithmonë person në kërkim ndërkombëtar. Nga informacionet që ne kemi shkëmbyer me autoritetet ligjzbatuese amerikane, nuk rezulton që personi të ketë pasur një qëndrim fiks, apo një punë fikse. Personi në fjalë ka qenë gjithmonë në lëvizje, ka bërë disa lëvizje, jo vetëm në shtetet e ndryshme të SHBA, por nga atje në fund fare pastaj ka lëvizur drejt Kanadasë dhe nga Kanadaja, për shkak se personi ka qenë gjithmonë nën presion të Policisë ose të autoriteteve ligjzbatuese, ka lëvizur nga Kanadaja drejt Koresë së Jugut.
Mesnatën e 5 prillit 2024 ai iu dorëzua në Rinas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe nisi vuajtjen e dënimit.
Vetëm pak kohë më parë, me vendim të Këshillit të Ministrave u ngrit një strukturë policore për të bërë të mundur arrestimin e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Rrjeti “Enfast” përbëhet nga disa shtete, ku merr pjesë është dhe Shqipëria me njësinë e saj më të fundit speciale për kapjen e të kërkuarve. Disa prej dosjeve të personave më të rrezikshëm janë dërguar në zyrat qendrore.
Problemi qëndron tek ata persona tepër të rrezikshëm, për të cilët “Enfast”, apo Interpol nuk ka asnjë gjurmë dhe asnjë foto. Madje pak kohë më parë, emrat e tyre janë publikuar edhe në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme me specifikimet përkatëse për llojin e krimit dhe masën e dënimit. Kjo e vështirëson edhe më shumë gjurmimin dhe më tej arrestimin e tyre për llogari të Shqipërisë. Deri para pak kohësh, pjesë e kësaj liste ishte edhe Ervin Shahini. Bashkë me 7 persona të tjerë, ishin të dënuar me burgim të përjetshëm nga të tri shkallët e gjyqësorit për krimin e vrasjes, në disa raste edhe për shkak të cilësive të veçanta.
Pëllumb Seferi: Në lidhje me lokalizimin e personit, ne kemi pasur një korrespondencë, kemi bërë një punë shumë të mirë, në radhë të parë me identitetin e personit, sepse nuk ka qenë e lehtë të vërtetohet identiteti i një personi të tillë pas kaq vitesh mungese informacioni. Njëkohësisht duhet të marrim parasysh edhe faktin që personi ishte larguar në ’97-ën, nuk kishte as gjurmë gishtash dhe as fotografi. Por si rezultat i shkëmbimit të informacionit me autoritetet amerikane dhe ato Koreane, ne arritëm të sigurojmë një fotokopje pasaporte në emër të një personi tjetër. Pas verifikimeve që ne kemi bërë me zyrën e Aleatit, njëkohësisht edhe me strukturat e Policisë Kriminale në vendin tonë, kemi arritur në konkluzionin se personi që jetonte në Kore, me gjeneralitetet Spartak Lazaj, ishte personi në kërkim ndërkombëtar, Ervin Shahini.
Kërkimet prej vitesh janë shtrirë edhe në ato vende ku mungon një marrëveshje bashkëpunimi policor me Shqipërinë, por janë Interpol dhe Europol strukturat ndihmëse.
Pëllumb Seferi: Përveç Interpolit që është një nga partnerët kryesor të Policisë së Shtetit, sepse ne jemi me të drejta të plota në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale, ne jemi palë e tretë edhe në Europol. Nga viti 2012 ne fillimisht kemi pasur marrëveshjen strategjike, më pas kemi nënshkruar edhe atë operacionale dhe për shkëmbimin e të dhënave, jemi vendi i tretë më aktiv nga të gjitha vendet e tjera, përveç shkëmbimit të informacionit, edhe nga prezenca. Kemi një prezencë me dy oficerë ndërlidhës në Hagë dhe kjo ka bërë të mundur që, të paktën 3 vitet e fundit, Shqipëria të jetë shumë aktive në shkëmbimin e informacionit, njëkohësisht edhe me Europolin. Në fund të çdo viti, sekretariati i përgjithshëm bën një bilanc për të gjitha zyrat homologe, edhe për zyrën e Interpol Tiranës, ka rezultuar që numri total i personave në kërkim ndërkombëtar ka qenë 3194 shtetas, nga të cilët 1284 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Drejtoria e Interpolit, kemi edhe 1910 të shpallur nga zyrat homologe. Ky numër varion, plus-minus, 50, 20, sepse është një proces i cili është në dinamikë të vazhdueshme.
Arrestimi dhe ekstradimi i Ervin Shahinit nga Korea e Jugut, u publikua edhe në faqen zyrtare të Interpolit.
Pëllumb Seferi: Nuk mund të them që ishte e vështirë, por njëkohësisht nuk ka qenë e lehtë sepse është një vend, me të cilin ne nuk kemi marrëveshje ekstradimi, por kemi shfrytëzuar Kushtetutën e Interpolit, njëkohësisht edhe disa takime që ne kemi pasur me autoritetet Koreane në lidhje me rastin në fjalë. Sepse përveç procedurës së shpalljes, lokalizimit, arrestimit, ne kemi bërë takime edhe për fazën finale, e cila ka qenë ekstradimi i këtij personi drejt vendit tonë. Ka qenë i pajisur me shtetësi Koreane. Ne duhet të falënderojmë autoritetet koreane, sepse personi ka qenë me shtetësi koreane, pasi ka qenë i martuar me një shtetase koreane. Në momentet e fundit të ekstradimit të këtij personi drejt vendit tonë, i është hequr edhe shtetësia koreane.
Me ekstradimin e Ervin Shahinit, që arriti të fshihej për 27 vjet, u dëshmua se në fakt asgjë nuk harrohet. Për Policinë dhe autoritetet ligjzbatuese ky quhet sukses. Ndërsa për familjen e viktimës duket se është më shumë se kaq. Është drejtësi e vendosur në vend.
“Unë nuk e di si të ta shpreh, por unë ndihem njeri tjetër. Për mua drejtësia e babait tim është vendosur në vend. Kjo ishte diçka që unë nuk e prisja kurrë që të ndodhte. Kjo ishte diçka që unë ndoshta do vdisja dhe do vdisja me një brengë, që ai njeri nuk e shleu dënimin e tij. Ai njeri nuk e pagoi atë veprim që bëri ndaj babait tim…”
Marrë nga emisioni “Gjërat Tona” në AbcNews