Shqipëria vlerësohet me çmimin e parë në kompeticionin global të sigurisë kibernetike GISEC, një kompeticion i organizuar nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara ITU (Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit) dhe Këshilli i Sigurisë Kibernetike të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Ky kompeticion, i organizuar në Dubai, bëri bashkë ekspertë të sigurisë kibernetike nga institucione publike dhe të apasionuar pas teknologjisë, nga 108 vende të botës, duke shënuar një rekord sa i takon numrit të lartë të pjesëmarrësve.
Shqipëria ka marrë pjesë për herë të dytë në këtë event, ndërkohë që gjatë këtij vitit ekipi ynë dëshmoi ekspertizën për t’u përballur me kompleksitetin e sigurisë kibernetike, në një botë ku zhvillimet teknologjike kanë një shpejtësi të madhe.
Përfaqësuesit e Shqipërisë nga Autoriteti Kombëtar për Certifikimin Elektronik dhe Sigurinë Kibernetike dhe Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit ishin Ilir Daka, Adriano Lleshi dhe Franc Zylyftari të cilët përfaqësuan më së miri vendin tonë në këtë kompeticion.
Qeveria Shqiptare e ka vendosur sigurinë kibernetike në fokusin e saj përmes ngritjes së kapaciteteve për të rritur mbrojtjen e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme. Gjithashtu përmirësimet e kuadrit ligjor apo edhe përgatitja e burimeve njerëzore përmes trajnimeve të vazhdueshme kanë forcuar më tej aftësitë profesionale të ekspertëve tanë. Rritja e kapaciteteve e ka fuqizuar qasjen parandaluese ndaj sulmeve kibernetike duke forcuar qëndrueshmërinë e ekosistemit tonë kibernetik.
Pjesëmarrja në aktivitete apo kompeticione ndërkombëtare i jep mundësi ekspertëve shqiptarë të shkëmbejnë praktikat më të mira dhe të krijojnë ura bashkëpunimi me të gjitha vendet në mbrojtje të hapësirës kibernetike.