Pas skandalit të Onkologjikut të publikuar në media, të shumta kanë qenë reagimet.
Së fundmi ka reaguar edhe bashkëshortja e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, e cila rrëfen eksperiencën e saj në këtë spital.
Përmes një statusi të gjatë në Facebook, Fatlinda Berisha tregon kohën kur nëna e saj u diagnostikua me kancerin e lëkurës dhe mjekja e spitalit, e cila sipas saj vijon ende në këtë detyrë, e orientoi në klinikën e saj private për të kryer operacionin.
“Kontaktuam me mjeken e cila e diagnostikoi në Spitalin Onkologjik, e që vazhdon ende të jetë në detyrë. Doktoresha nuk e bëri dysh e na çoi menjëherë tek klinika e saj private. Një kotec i vockël, që klinikë nuk mund të quhet. Aty kryem operacionin e parë e na duhej të operohej sërish, ndaj u bë edhe operacioni i dytë, në po të njëjtin vend të vockël e të mjeruar. Ata që e dinë, kuptojnë që as biopsi e asgjë nuk bëheshin këtu, por niseshin jashtë e përgjigjja vinte shumë vonë, duke humbur kohë të vyer”.
Përpos arrogancës së mjekes ajo thekson se gjendja e nënës së saj, në atë kohë 51-vjeçare u përkeqësua dhe u nis jashtë vendit, ku mjeku që pa analizat u dha se ishin tepër vonë dhe gjendja ishte rënduar. Sipas saj ndërhyrja ishte bërë keq, si edhe trajtimi më pas ishte bërë gabim.
“Për pak kohë situata u përkeqësua dhe u nisëm jashtë. Mjeku sapo pa të dhënat e analizat na tha se ishte tepër vonë, e se nuk kishim më asgjë për ti bërë. Unë këmbëngulja që kishim shkuar në kohë, por ai vetëm çuditej me çfarë dëgjonte prej meje. Aty kuptuam se e gjitha mund të ishte parandaluar. Ndërhyrja ishte bërë keq, gabim. Edhe trajtimi më pas ishte bërë gabim. Çdo gjë ishte bërë gabim. E të mendosh që ne paguam, jo pak… por jetën e saj e humbëm, sot e 15 vjet më parë. Kush nuk do paguante për shëndetin? Apo për t’i shpëtuar jetën prindit, fëmijës, vetes? Të gjithë do paguanim, por sot, 15 vjet me pas po paguajmë këta vrasës me pagesë, që ua njohim fytyrat e ua dimë zanatin”.
Postimi i plotë i Fatlinda Berishës:
Ishte viti 2006. Asokohe 51 vjeçe, ime më, u diagnostikua me melanomë (kanceri i lëkurës) i kapur në gradën 2-3, në gjuhën e mjekëve, jo vonë. Mblodhëm forcat familjarisht të bënim më të mirën. Kontaktuam me mjeken e cila e diagnostikoi në Spitalin Onkologjik, e që vazhdon ende të jetë në detyrë.
Tronditja ishte e madhe, nxitimi për ta zgjidhur akoma më i madh. Mendja na punonte vetëm për të fituar kohë, e për ta shpëtuar.
Doktoresha nuk e bëri dysh e na çoi menjëherë tek klinika e saj private. Një kotec i vockël, që klinikë nuk mund të quhet. Aty kryem operacionin e parë e na duhej të operohej sërish, ndaj u bë edhe operacioni i dytë, në po të njëjtin vend të vockël e të mjeruar. Ata që e dijnë, kuptojnë që as biopsi e asgjë nuk bëheshin këtu, por niseshin jashtë e përgjigjja vinte shumë vonë, duke humbur kohë të vyer.
Nejse, doktoresha me të mbaruar operacioni, erdhi vetë personalisht të merrte lekët në dorë, menjëherë….pa humbur asnjë sekondë. Arroganca dhe sjellja e saj, në fakt na dukej halli më i vogël. Justifikonim veten, të paktën po na shpëton jetën e time mëje mendoja, e lekët që gati sa nuk na i merrte nga xhepi, na dukeshin hiçgjë.
Përshkroi edhe një medikament, për të cilin që në momentin e parë na tha se këtu nuk gjendej.
Kuptohet ne e gjetëm medikamentin dhe filloi trajtimin. Për pak kohë situata u përkeqësua dhe u nisëm jashtë. Mjeku sapo pa të dhënat e analizat na tha se ishte tepër vonë, e se nuk kishim më asgjë për ti bërë. Unë këmbëngulja që kishim shkuar në kohë, por ai vetëm çuditej me çfarë dëgjonte prej meje.
Aty kuptuam se e gjitha mund të ishte parandaluar. Ndërhyrja ishte bërë keq, gabim. Edhe trajtimi më pas ishte bërë gabim. Çdo gjë ishte bërë gabim. E të mendosh që ne paguam, jo pak… por jetën e saj e humbëm, sot e 15 vjet më parë. Kush nuk do paguante për shëndetin? Apo për t’i shpëtuar jetën prindit, fëmijës, vetes? Të gjithë do paguanim, por sot, 15 vjet me pas po paguajmë këta vrasës me pagesë, që ua njohim fytyrat e ua dimë zanatin.
Unë jetën e time meje nuk e shpëtova dot, dhe pse iu nënshtrova “rregullave” kriminale të asaj që ishte mjekja, e që jemi nënshtruar të gjithë kolektivisht, si delet para kasapit, me kokën rruar e qafën zgjatur duke pritur thikën në grykën e radhës.
Nuk shpëtova dot as jetën e dikujt tjetër shumë të rëndësishëm në familjen time, sepse sërish dëgjova mjekun që edhe pse e dinte që vuante nga sëmundje e rëndë, më thoshte trajtoje me paracetamol, duke humbur kohë të vyer në dobi të vdekjes.
Mos të vazhdoj më me keqdiagnostikimet, mungesën e profesionalizmit dhe etikës, trajtimin skandaloz “me mik”, se e kam listën shumë të gjatë, për fatin tim te keq…
Deri atëherë përqafoni prindërit, fëmijët e këdo dashuroni në këtë botë, me shpresën se nuk do bëheni për spital. Po ju ndodhi, SUKSESE NË JETË!