Extra George Clooney dhe Brad Pitt ribashkohen pas 16 vitesh, përballen me mafian...

George Clooney dhe Brad Pitt ribashkohen pas 16 vitesh, përballen me mafian shqiptare në filmin e fundit

Traileri i filmit më të ri “Wolfs” i zhanrit aksion dhe i realizuar nga Columbia Pictures dhe Apple Original Films ka zbuluar ribashkimin e dy aktorëve të famshëm pas 16 vitesh në një film.

Brad dhe George kanë qenë bashkë në sheshxhirimin e filmit “Burn after reading” në vitin 2008, ndërsa këtë herë shfaqen në një udhëtim me makinë së bashku, në ndjekje të disa ngjarjeve të tensionuara.

Sikurse në jetën reale, edhe në film, dy protagonistët janë miq, por prej kohësh nuk punojnë bashkë.

Profesioni i tyre: zhdukin çdo provë dhe gjurmë nga një ngjarje kriminale.

Këtë herë ata janë thërritur të dy njëkohësisht për të njëjtën punë, por pasi diçka shkon keq, do t’u duhet të përballen me policinë, por edhe mafian shqiptare.

Filmi do të shfaqet për herë të parë të premten në Apple TV+, por që tani është njoftuar se do të ketë një episod të dytë.

Në javët e kaluara, dy yjet e kinematografisë, kanë komentuar shpesh se si kanë marrë ilaçe për dhimbjet e muskujve, pasi nuk janë më të rinj si dikur. Clooney është 63 vjeç, ndërsa Pitt, 60.