Kryesore 80-vjetori i Çlirimit, krerët e shtetit homazhe në Varrezat e Dëshmorëve

80-vjetori i Çlirimit, krerët e shtetit homazhe në Varrezat e Dëshmorëve

Ashtu si çdo vit kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm në Varrezat e Dëshmorëve për të përkujtuar 80 vjetorin e Çlirimit të vendit.

I shoqëruar nga presidenti Begaj, anëtarë të tjerë të kabinetit, deputetë dhe përfaqësues të shoqatave të veteranëve, kreu i qeverisë ka vendosur kurora me lule në monumentin “Nënë Shqipëri”.

Nuk kanë munguar në këtë jubilar të Çlirimit dhe mbështetës të partisë komuniste, të cilët mbanin në duar foto dhe parulla për diktatorin Enver Hoxha.

Shqipëria përkujton sot më 29 Nëntor, 80-vjetorin e Çlirimit nga forcat fashiste italiane e gjermane. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë.

Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria ishte e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në territorin e saj hynë forcat gjermane.

Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej të çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë nga pushtimi gjerman.