Shpërthimi në kanalin e Ibër-Lepencit shkaktoi reagime edhe në Serbi. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç, tha se Serbia e dënon sulmin në kanalin e ujit. Ai theksoi se fakti që qeveria e Kosovës ka drejtuar gishtin drejt Serbisë pa prova, me shumë mundësi tregon “përfshirjen e regjimit të Kurtit”.
Në një postim në rrjetet sociale ai u bëri thirrje autoriteteve përkatëse ndërkombëtare të kryejnë një hetim të plotë dhe transparent në mënyrë që të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi autorët e këtij akti.
“Ndërsa regjimi i Kurtit nxitoi të drejtojë gishtin drejt Serbisë pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një diversion i qëllimshëm, potencialisht duke treguar përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit”, tha Gjuriç.
Ndërkohë drejtuesi i Zyrës për Kosovën, Petar Petkoviç, theksoi se shpërthimi në kanalin Ibër-Lepenc është kundër paqes që Beogradi ka qëndruar gjithmonë si dhe kundër interesit të popullit serb.
Ai i ka bërë thirrje Eulex-it dhe KFOR që të hetojnë me shpejtësi shkaqet pse kjo është e vetmja mënyrë për të përcaktuar të vërtetën.
“Një shkatërrim i tillë i kanalit nuk është absolutisht në interesin e popullit serb dhe Beogradit”, tha Petkoviç.
Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit, tha se e dënon ashpër dëmtimin e kanalit të ujit në fshatin Varragë, duke e quajtur atë “akt absolutisht kundër interesave të popullit serb”.
Partia serbe tha se dëmtimi i kanalit të ujit, përveç se ka rrezikuar furnizimin me ujë të qytetarëve, po ashtu “ka shkaktuar shqetësim te serbët në veri të Kosovës”.
Ndërkohë mediat në Serbi shkruajnë edhe se policia e Kosovës që po kryejnë kërkime në Zubin Potok. Këtë e ka konfirmuar edhe zv/drejtori i policisë, Veton Elshani. Ai tha se po kryhen bastisje në disa shtëpi, por nuk ka ndarë më shumë hollësi.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka akuzuar Serbinë se ka orkestruar “sulmin kriminal dhe terrorist”.