Bota Nga Schengen te Policia, Macron propozon “Rilindjen re të Europës”

Nga Schengen te Policia, Macron propozon “Rilindjen re të Europës”

Presidenti francez Emmanuel Macron ka bërë thirrje për një tjetër Rilindje europiane në prag të zgjedhjeve për Parlamentin Europian në maj, me anë të një editoriali.

Letra që publikohet sot në gazetat e 28 vendeve anëtare të BE-së pak muaj nga zgjedhjet e parlamentit europian të 26 majit, ndahet në tre kapituj: Mbrojtja e lirisë, mbrojtja e kontinentit dhe rigjetja e shpirtit të progresit.

Ai e konsideron Europën më “të kërcënuar se kurrë” prej nacionalizmit dhe apelon për një “Rilindje” me anë të reformave themelore, njëherësh duke bërë thirrje që të mos votohen ata që përçojnë frymën e ndarjeve

“Zgjedhjet evropiane duan dhe disa javë për të përcaktuar të ardhmen e Evropës. Që nga Lufta e Dytë Botërore, Europa nuk ka qenë kurrë më e rrezikuar si sot”, shkroi ai Macron.

“Nacionalizmi nuk ofron asgjë, është një projekt që duhet refuzuar”, thekson ai.

Macron propozon krijimin e një agjencie evropiane për mbrojtjen e demokracisë, ekspertët e të cilëve do të parandalonin manipulimin dhe financimin e partive europiane nga jashtë.

Ai propozon një rishikim total të hapësirës Schengen për të rivendosur sigurinë duke përfshirë një Polici Kufitare të përbashkët dhe një Zyrë Europiane Azili, detyrime të rrepta kontrolli dhe solidaritet në të cilin secili shtet do të duhet të kontribuojë.

Ndër të tjera propozohet krijimi i një Këshilli Sigurimi të BE-së me Mbretërinë e Bashkuar për të përgatitur vendimet e përbashkëta të Bashkimit Europian në fushën e mbrojtjes; një mburojë sociale për punëtorët dhe një pagë minimale europiane.

Mes propozimeve që përmban letra është edhe ajo e krijimit të një Banke Europiane për klimën me objektivin për të financuar tranzicionin ekologjik në Europë.

Macron propozon një Forcë Sanitare Europiane për të forcuar kontrollet e ushqimeve.

Për Presidentin, duhet që të përgjysmohet konsumi i pesticideve deri në vitin 2025 dhe është e nevojshme të bëhet një vlerësim shkencor i pavarur për substancat e rrezikshme në ambient.

Duke u përpjekur për të bindur evropianët që të mos votojnë për nacionalistët, Presidenti francez u bën thirrje shteteve dhe institucioneve evropiane që deri në fund të vitit vijnë në një “Konferencë për Evropën”.

Qëllimi i tij është të propozojë reformat e Unionit pa çështje të ndaluara, duke përfshirë ripërtëritjen e traktateve ekzistuese.

“Në atë Evropë, njerëzit do ta merrnin me të vërtetë fatin e tyre në duart e tyre, në atë që Evropa dhe Britania do të gjenin vendin e tyre”, shkruan Macron.