Kryesore INTERVISTA e plotë e Ramës për Bruno Vespa-n: Dy kushtet e “mikut”...

INTERVISTA e plotë e Ramës për Bruno Vespa-n: Dy kushtet e “mikut” tim Basha (ndërhyn dhe kreu i PD)

Intervista e plotë e kryeministrit Rama dhënë për gazetarin Bruno Vespa, në emisionin “Porta a Porta” në “RAI”.

Vespa: Jemi të nderuar që të kemi të ftuar. Çfarë po ndodh në Shqipëri? Një zhvillim i madh, kompani të mëdha, kemi ftuar edhe një sipërmarrës italian, një nga të shumtët që po vijnë në Shqipëri sepse siç e pamë kushtet ekonomike janë shumë të favorshme. Ne jemi vetëm 70 kilometra larg. Sidoqoftë, ka një situatë politike, më pas do të dëgjojmë edhe liderin e opozitës në një intervistë të regjistruar. Qenka një situatë shumë dramatike sepse nëse opozita bojkoton parlamentin, kjo nuk është një gjë e mirë.

Rama: Para së gjithash faleminderit për këtë ftesë. E vlerësoj shumë sepse është një mundësi e madhe për të folur për realitetin shqiptar dhe faleminderit edhe për insertin që jep një përshtypje shumë të mirë për vendin tonë sepse Shqipëria ka bërë me të vërtetë hapa prej gjiganti, por nuk është edhe pa probleme, që do të thotë se duhet të luftojmë sepse ka shumë punë për të bërë për t’u modernizuar dhe për t’u futur në këtë Europë që e kemi ëndërruar gjithmonë. Por, dikur sillnim këtu dëshpërimin, pas një regjimi që e shndërroi Shqipërinë në Korenë e Veriut të Europës. Sot, kemi me Italinë një volum tregtar prej 2,6 miliardë eurosh në vit, eksportojmë 1,2 miliardë euro, që janë shifra që me siguri duhet të përmirësohen, por që japin një ide se si ka ndryshuar Shqipëria, që vitin e kaluar arriti rekordin me gjysmë milioni turistëve italianë. Në Shqipëri ka gati 20 mijë italianë që punojnë, që bëjnë biznes, me një sistem taksash, më lejoni të them, që në Itali as që mund të ëndërrohen. Për atë që ne e quajmë biznes i vogël deri në 140 000 euro të faturuara, ka vetëm pesë përqind taksa. Ndërsa për ata që janë biznes i madh maksimumi është 15 për qind. Pra, ata italianë që vijnë si sipërmarrës në Shqipëri bëjnë një biznes të mirë dhe siç thatë ju ne jemi, le të themi, një Itali e vogël në pikëpamje të gjuhës, të kulturës dhe të ngjashmërive. Italianët e parë nga ne janë shqiptarë të veshur me ”Versace”, nuk kanë asnjë ndryshim tjetër.

Vespa: Por, ka edhe mangësi. Ka njerëz shumë të pasur, por ka edhe të varfër. Kjo është edhe një nga arsyet e protestave në sheshe.

Rama: Besoj se kjo gjë mund të thuhet edhe për Italinë. Ka edhe këtu njerëz të varfër. Sigurisht, duke bërë bilancimin e krahasimit sepse janë nivele shumë të ndryshme jetese. Por, ajo që unë dua t’u them të gjithë atyre që kanë parë këto pamje të protestave të ditëve të fundit iu freskua pak kujtimi i asaj Shqipërie të mbushur me trazira. Kjo nuk është një revoltë e popullit, nuk është populli në shesh. Është një revoltë në ”pallatin e politikës”, pra ai establishment që pesë vite më parë iku me një milion vota, një gjë që nuk kishte ndodhur kurrë në Shqipëri, nuk arrin ta pranojë humbjen dhe, si ballkanikë të mirë, si mesdhetarë të mëdhenj nuk jemi shumë të mirë për të pranuar humbjet, kjo edhe për ju.

Pietro Senaldi (Drejtor i gazetës italiane ”Libero”): Shqipëria po përjeton një zhvillim të madh. Unë jam kureshtar të di, përderisa ka sipërmarrës italianë atje, dihet që për sipërmarrjet stabiliteti është një gjë kryesore. Destabiliteti është vetëm kombëtar apo është i lidhur me faktin që përreth Shqipërisë luhen lojëra me karakter ndërkombëtar. Shqipëria kërkon të hyjë në Europë, por ka edhe vende që nuk pranojnë që Shqipëria, si vend ballkanik, të mos hyjë në Europë. Dimë për raportet e tensionuara me Rusinë, me Iranin. A ka diçka më tepër apo thjesht konflikt kombëtar për pushtet?

Rama: Para së gjithash, po thosha pak më parë, bëhet fjalë për ”revoltë në pallat”, unë nuk flas kurrë në gjuhë të huaj për kundërshtarët e mi edhe pse italishtja nuk është plotësisht një gjuhë e huaj për mua, nuk bëhet fjalë për një revoltë në shesh apo të popullit, por për një revoltë jashtëzakonisht e pazakonshme, një lloj Aventini shqiptar që për më tepër ndodhi, dhe, nga ana tjetër, pyetja juaj është shumë tendencioze. Unë nuk dua të hamendësoj për gjëra për të cilat nuk kemi fakte. Është e qartë, jo të gjithë e duan Shqipërinë në Europë dhe nuk është një sekret që Rusia nuk e pëlqen Europën e madhe. Dhe kur janë të tilla situata, ata me kënaqësi mund të japin një dorë dhe kjo gjë nuk do të ishte aspak një surprizë. Ndërsa për pyetjen që më bëtë për Iranin, Shqipëria është vendi ku një pjesë shumë e rëndësishme e opozitës iraniane është mirëpritur për të shpëtuar jetët e tyre. Ne kemi një traditë, pasi Shqipëria ishte i vetmi vend ku hebrenjtë ishin më të shumë në numër pas luftës sesa përpara luftës dhe që nuk ka në regjistrin e saj të historisë asnjë hebre të dorëzuar te nazistët. Ofruam këtë mikpritje për rreth 3 000 refugjatë iranianë që janë të opozitës. Jemi në një lloj konflikti me regjimin, u detyruam të dëbonim ambasadorin dhe një funksionar tjetër të lartë pasi ishin të përfshirë në aktivitete jo shumë dashamirëse në territorin tonë, por, për më tepër, unë dua të flas për fakte dhe jo për insinuata.

Vespa: Mirëmbrëma Igli Tare. Në fillim të dokumentarit pamë shumë nga djemtë shqiptarë që erdhën në Itali. Një nga këta djemtë ishte edhe Tare. Ishte ky që më pas u rrit, u bë një lojtar i suksesshëm dhe tani prej 10 vjetësh, është drejtor sportiv i Lacios.

Tare: Në fakt nuk bëj pjesë në atë brez i cili erdhi në Itali, edhe unë e pata këtë eksperiencë duke shkuar në Gjermani, para së të vija këtu në ’92, duke hyrë fshehurazi për të arritur suksesin. Ishte gjithmonë një ëndërr e imja të vija të luaja në Itali, dhe me kalimin e kohës ia dola ta realizoja këtë ëndërr, dhe gjendem me të vërtetë shumë mirë këtu. Në të njëjtin moment nuk jam një person që dua shumë politikën, por dua shumë vendin tim,dhe kjo gjë që po ndodh në Shqipëri për ne që jemi larg nga vendi ynë, nga populli ynë. Është shumë i rëndësishëm imazhi që ne po i japim vendit. Ne (shqiptarët e Italisë) po përpiqemi të bëjmë pjesën tonë këtu, jashtë Shqipërisë dhe në të njëjtën kohë presim që njerëzit atje të jenë më të përgjegjshëm, sepse rritja ekonomike që është bërë vitet e fundit është shumë e rëndësishme, dhe duhet të jemi shumë të përgjegjshëm që të japim një sinjal të fortë mbi një botë të tërë mbi këtë rritje.

Vespa: Ju jeni dakord mbi ketë analizë ?

Rama: Ndërsa ju pyesnit Iglin unë mendoja për këta persona që pamë në filmimin e ’91 dhe mendova faktin që janë mbi 40 000 sipërmarrje shqiptarësh në Itali që paguajnë taksat dhe detyrimet për Italinë. Shqiptarët në Itali sot jo vetëm që janë të integruar plotësisht, por janë edhe kontribues të rëndësishëm nëpërmjet bizneseve të tyre.

Dhe sigurisht është e vërtetë ajo që thotë Igli se ne jemi vërtetë në një fazë mjaft të rëndësishme sepse duhet të hapim negociatat për aderimin në BE, duhet të luftojmë korrupsionin, krimin, kemi bërë beteja që askush s’i ka bërë më parë, kemi çrrënjosur kanabisin, e konfirmuar edhe nga Guardia Di Finanza, nuk është se e thotë qeveria shqiptare. Guardia Di Finanza bëri monitorime nga ajri me aeroplanë dhe tani jemi në vitin e dytë pa kanabis në Shqipëri.

Vespa: Ekzaktësisht, e kundërta e asaj qe thotë opozita.

Rama: Pikërisht, kjo pastaj, është e bukura e politikës shqiptare, ne kemi një politikë pak a shumë ala italiane… nuk gjendet kurrë një marrëveshje dhe nuk biem kurrë dakord. Për këtë jemi si ju, mbase e ekzagjerojmë pak më shumë se ju, mbase jemi pak më gjaknxehtë.

Vespa: Mimmo është një nga 20 000 sipërmarësit italianë që janë trasferuar në Shqipëri.

Mimo: Aktiviteti im është industrial, i specializuar në shërbimet spitalore. Një aktivitet i krijuar vetëm për Shqipërinë. Unë jam një sipërmarrës që prodhoj për Shqipërinë , jo si sipërmarrësit që punojnë dhe prodhojnë per të eksportuar jashtë saj.

Vespa: Mund të themi se disa prej këpuceve të njohura, pa përmendur emra, prodhohen në Shqipëri, duke u shitur poshtë emrave të markave internacionale. Mund të di faturimin e ndërmarrjes suaj.

Mimmo: Aktualisht jemi tek gjysëm milirad lekë

Vespa: Në euro sa janë ?

Mimmo: Aktualisht jemi afër 600 000 euro,

Vespa: Kështu qe paguani 15% taksa ?

Mimmo: Po.

Vespa Ramës: Për sa i përket taksimit mbi personat fizike, sa është shkalla e taksës?

Rama: Mbi rrogën e tij nuk janë pak, por sigurisht janë më pak sesa në Itali. Jam i sigurt për këtë gjë. Sepse principi ynë është që mbi ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kemi mbi 50 000 euro faturim kemi zero taksa, asgjë, vetëm sigurimet. Pastaj, deri në 140 000 euro e kemi 5%, pastaj gjithë të tjerat 15 %, ndërsa mbi personat fillojmë me 0% dhe arrijmë deri tek 17%  dhe ju duhet ta keni 23%, të merituara apo jo?

Vespa: Si gjendeni ju në këtë situatë, një luftë frontale politike, është edhe kryeministri tipik edhe nga karakteri.

Mimmo: Jo vetëm ne sipërmarrësit ose italianët që jetojmë dhe punojmë në Shqipëri, por edhe popullin shqiptar nuk e shikoj të përfshirë në këtë situatë, është një çështje politike, siç e tha edhe kryeministri më parë, ne jemi pak jashtë kësaj çështjeje, puna jonë e përditshme vazhdon e qetë, pa pasur asnjë shqetësim. E qartë që në nivelin e jashtëm imazhi i Shqipërisë vihet në dyshim. Është një gjë e rëndësishme që Shqipëria është një nga vendet më të qeta që gjendet, nga të gjitha pikëpamjet. Është një vend që jetohet shumë qetë.

Rama: Dua të them që, duke parë ekranin, imazhet janë mjaft të forta, por ata që erdhën këtë vit si edhe ata do të prenotojnë po këtë vit, objektivi ynë është të arrijmë në mbi gjysmë milion italianë këtë vit. Do të rritemi me mbi 20% vitin e ardhshëm. Duhet të kuptojnë që gjithë kjo gjë zhvillohet në një rreze prej një kilometër në maksimum, dhe më larg se kaq vazhdon jeta normale, për sipërmarrësit, për njerëzit, për turistët, për të gjithë, ashtu siç tha zotëria, ndërsa për kriminalitetin ne jemi në mesataren europiane dhe nuk dua të bëj krahasime nga qyteti në qytet, sepse nga Toskana dhe poshtë mund të krahasohemi pa problem me qytetet italiane.

Vespa: Tani do të dëgjojmë anën tjetër, siç e dini që ky emision është tradicionalisht pluralist, atëherë të dëgjojmë Lulzim Bashën, liderin e opozitës, një pasues i Sali Berishës, liderit historik të PD, siç shihet tek intervista e Fabio Alfonsos, përdor tone mjaft të ashpra.

(Intervista me Bashën)

Alfonso: Çfarë po ndodh në Shqipëri?

Basha: Shqipëria ka dy probleme të rënda, një me demokracinë dhe një me kriminalitetin. Pesë vite më parë, Shqipëria u bë prodhuesi dhe eksportuesi numër një i kanabisit. Me paratë e kanabisit, u kalua në trafikun e heroinës dhe kokainës. Dhe me milionat e fituara nga trafiqet e drogave të forta u blenë zgjedhjet, u blenë policët, drejtësia, media, pjesë të mëdha të ekonomisë private dhe të aktivitetit ekonomik publik.

Alfonso: Ju akuzoni qeverinë për bashkëpunim dhe marrëveshje me krimin e organizuar.

Basha: Dy muaj më parë, media ndërkombëtare publikoi përgjimet zyrtare të drejtësisë shqiptare, ku funksionarë të lartë të Partisë Socialiste, janë përgjuar në bashkëpunim me krerë mafiozë për të blerë vota dhe për të frikësuar opozitën në zgjedhjet e kaluara. Për katër vite, Shqipëria ka pasur ministër të Brendshëm, Saimir Tahirin, që tani ndodhet nën akuzë zyrtare për trafikim ndërkombëtar të drogës shkaktuar nga një hetim i Prokurorisë së antimafias së Katanias. Ndërsa për sa i përket pasuesit të tij, Fatmir Xhafa, drejtësia italiane ka dënuar vëllain e tij me shtatë vite burg si anëtar të një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës.

Vespa: Zoti kryeministër këtu ka tre pika. Në një ju thoni se jeni krejtësisht të lirë, ndërkohë që flitet për median ndërkombëtare, besoj se i referohet një hetimi të së përditshmes angleze “The Indipendet”, të cilës i keni kthyer përgjigje, për më tepër, ku paraqitej Shqipëria si Kolumbia e Europës. Madje një shtrirje masive të kultivimit të kanabisit. Pra mes zero dhe Kolumbisë së Europës, ka diçka të mesme.

Rama: Unë nuk flas kurrë për kundërshtarët e mi në një gjuhë të ndryshme nga ajo e nënës, sepse aty kemi mjaftueshëm. Po ju përgjigjem juve. Unë sigurisht jam i anshëm, pra nëse them diçka, ajo është e njëanshme. Por, këtu jemi në një vend ku ka dy detaje të rëndësishme për të folur për të vërtetën. “Guardia di Finanza” që është një agjenci e madhe, me integritet të padiskutueshëm. Që paguhet nga komuniteti europian. Që ka ngritur avionët dhe fotografon territorin që nga viti 2012. Faktet tregojnë një realitet krejtësisht të ndryshëm, pra në vitin 2013 kur ne erdhëm në qeveri, ishin rreth 400 hektarë me plantacione ndërsa në vitin 2018, 0,8 hektarë. Pra gati asgjë. Së dyti, u fol për prokurorinë e antimafias së Katanias. Dhe praktikisht ajo prokurori bëri një hetim mbi një grup trafikantësh shqiptaro-italianë, ku përfshihej në përgjime një prej ministrave tanë të Brendshëm, dhe në fund, e zezë mbi të bardhë, tha se nuk ka lidhje ministri i Brendshëm. Pra janë dy burime zyrtare italiane. I them për të mos hyrë në një debat politik që nuk shërben për asgjë.

Vespa: Diçka që nuk e tha shefi i opozitës, po jua kujtoj unë. Pasi u zhvilluan zgjedhjet, vëzhguesit e OSBE-së, ju e dini se kanë thënë që ka pasur rreth 20%…

Rama: Jo jo, nuk është kështu. Në radhë të parë dua të them, që pikërisht për të pasur zgjedhje, që më në fund do të thyenin me traditën e kontestimit pas kontestimit. Nuk është se jemi humbës të mirë ne në përgjithësi, as këtu në Itali nuk jeni. Bëmë një marrëveshje. Unë i thashë mikut tim, liderit të opozitës, çfarë do? Ministrin e Brendshëm mirë, ministrin e Financave, ministrin e Arsimit, ministrin e Shëndetësisë, pra gjysma e qeverisë ishte e opozitës. Para dhe gjatë zgjedhjeve. Për herë të parë maxhoranca e KQZ ishte e opozitës. Për herë të parë, në të gjitha qendrat e numërimit ku ka 50% opozitë dhe 50% qeveri, nuk ka pasur asnjë debat dhe të gjithë firmosën rezultatin. Për herë të parë, Kolegji Elektoral, që është një lloji gjykate elektorale, u pagua pa bërë punë, sepse nuk pati asnjë kërkesë nga asnjë parti. Zgjedhjet u njohën nga të gjithë. Ndërsa unë në këtë marrëveshje kisha vendosur dy kushte, fituesi qeveris, humbësi bën opozitën dhe nuk flitet keq për Shqipërinë në gjuhë të huaj. Sepse nuk është bukur, gjithë kjo audiencë kërkon të dijë për vendin, do të dijë për sfida, sigurisht që ka shumë gjëra për të bërë dhe tani, sikur të mos dëgjojë mjaftueshëm politikanët italianë, duhet të më dëgjojë edhe mua dhe atë tjetrin të grindemi këtu. Nuk shkon, sepse në fund çfarë thonë, këta këtu janë më keq se tanët. Jo nuk jemi më keq, jemi njësoj. Jemi njësoj me tuajt.

Vespa: Çdo vend ka problemet e tij. Për mua, të flas me shefin e një Shqipërie demokratike përbën një farë përshtypje, sepse unë në fillim të viteve ’80, kur ishte ende regjimi i vjetër i Enver Hoxhës, ambasadorët më dhuronin të gjitha veprat e Enver Hoxhës, gjithë veprën e plotë të Enver Hoxhës dhe shumë konjak shqiptar, sepse po bëja bisedime, sepse do të isha gazetari i parë i huaj që do të vija në Shqipëri.

Rama: Skënderbeu, konjaku ishte Skënderbeu.

Vespa: Konjaku ishte shumë i mirë. Nuk u bë asgjë, më pas ndodhi revolucioni. Dua të them, të shohësh një vend demokratik dhe në zhvillim të madh pranë shtëpisë bën që urimi jonë të jetë që të rikthehet sa më shpejt në normalitet. Por, deputetët e dorëhequr zëvendësohen, si funksionon tek ju ligji elektoral.

Rama: Ne kemi një ligj elektoral rajonal-proporcional, pra me lista. Pra kjo është çështja, ata kanë braktisur Parlamentin dhe thanë që nuk hyjnë në këtë Parlament, kryeministri duhet të largohet, një tjetër qeveri që ka pëlqimin tonë duhet të krijohet. Pra, ”Juventusi” duhet të largohet. Duhet të krijohet një skuadër që duam ne, pa Cristiano Ronaldon dhe të fillojmë nga e para. Kështu nuk shkon. Më pas ikën dhe tani ata që janë më poshtë në lista po hyjnë në Parlament. Pra është një situatë shumë unike. Unë nuk di asnjë rast tjetër përveç Aventinos italian të viteve ’20. Është një vetëvrasje politike.

Vespa: Në atë rast nuk kishte zëvendësues, ata ikën, mbetën jashtë dhe përfundoi si përfundoi. Ne jemi të interesuar për një zgjidhje të shpejtë të kësaj ngjarjeje.

Senaldi: Përse po ndodh pikërisht tani? Nga Shqipëria ka ardhur vala e parë e emigrantëve, tani ne po investojmë në Shqipëri. Këtu themi, pasi emigracioni është një çështje delikate, t’i ndihmojmë në shtëpinë e tyre. Ky mund të jetë një shembull i mirë t’i ndihmojmë në shtëpinë e tyre si funksionarë.

Rama: Me shqiptarët jo, sepse jemi ne që po ju ndihmojmë në shtëpinë tuaj. Sepse jemi qindra mijëra që punojmë këtu dhe që kemi ngritur sipërmarrje. Në rastin e shqiptarëve jo. Ne jemi vërtetë një Itali e vogël, nga ana tjetër e detit.

Senaldi: Përse tani?

Rama: Sepse në qershor janë zgjedhjet. Ata bënë të njëjtën gjë edhe në zgjedhjet e mëparshme. Në sondazhe janë më keq se sa opozita juaj këtu. Nuk kanë asnjë shans për të fituar. Sikurse e thashë, jo vetëm ne. Por të gjithë shqiptarët por edhe italianët besoj nuk jemi humbës të mirë. Pra kërkojmë gjithnjë një alibi.

Tare: Unë mendoj që gjëja e duhur e opozitës është që të rikthehet në Parlament. Sepse vetëm aty mund të diskutohen problemet që kemi. Unë lexova para dy ditësh, intervistën e një artisti të famshëm shqiptar që tha, në një prej këtyre protestave që u zhvilluan para pak ditësh, dogjën një gomë makine para Parlamentit, dhe ai u shpreh se i duhet të zhvillojë 200 koncerte për të pastruar imazhin jashtë vendit. Të njëjtën gjë mendoj edhe unë, se duhet të jemi shumë të përgjegjshëm sepse jemi një komb që ka vuajtur shumë. Populli jonë meriton vërtetë diçka të mirë, jemi pro Europës, jemi një vend në rritje me një zhvillim të mirë dhe problemet duhet t’i zgjidhim në shtëpinë tonë por me përgjegjësi të madhe.

Mimmo: Unë qartësisht si një sipërmarrës i angazhuar në Shqipëri, nuk e ndjej të ndaloj sipërmarrës të tjerë që kanë interes apo kuriozitet, por i ftoj të vazhdojnë të investojnë në Shqipëri, sepse Shqipëria është një vend me rritje të fortë ekonomike në sektorë të ndryshëm. Pra, mjafton të kesh shumë besim dhe t’i besosh projektit të Shqipërisë.