Para se të bëhej territor i SHBA-së, Alaska i përkiste Rusisë. Rusia i ofroi Amerikës territorin e Alaskës për shitje në 1867.
Blerja kushtoi 7 milionë e 200 mijë dollarë.
Në vitin 1896 në Alaska u zbulua flori në masë të konsiderueshme.
Një vit më pas 50 000 njerëz u dyndën drejt Alaskës në kërkim të arit. Në territorin e Alaskës u zbuluan edhe metale të tjetra si bakër, qymyr, platin etj.
Megjithatë pasuria më e madhe e Alaskës është peshkimi dhe tregëtia e gëzofëve. Zhvillimi i industrisë së peshkimit, minerares si edhe fillimi i agrikulturës kërkonte një qeverisje më efektive të territorit të Alaskës. Kështu, në vitin 1912, asaj iu dha e drejta e vetëqeverisjes.
Gjatë kësaj periudhe minierat e bakrit ishin të kontrolluara nga korporatat e mëdha që mund të përballonin shpenzimet e kërkimit të mineraleve nëntokësorë.
Gjatë periudhës së depresionit në Amerikë, meqenëse çmimi i arit në Alaska ishte stabël, minierat e arit atje u bënë shumë fitimprurëse.
Më 3 janar 1959, Alaska pranohet si shteti i 49-të i SHBA-së. Alaska ndodhet në skajin veriperëndimor të kontinentit të Amerikës së Veriut. Kufizohet në lindje me Kanadanë, Oqeanin Arktik në veri, Oqeanin Paqësor në perëndim dhe me Rusinë (Siberinë) në jug.
Alaska është shteti më i madh për nga territori në Shtetet e Bashkuara dhe i katërti me popullsi më të rrallë. Përafërsisht gjysma e popullsisë së Alaskës prej 740 mijë banorësh jeton brenda zonës metropolitane të kryeqytetit Anchorage.
Por pse Rusia nuk ia shiti Alaskën, Kanadasë, por Amerikës?
Sigurisht që SHBA përfitoi më shumë prej kësaj marrëveshjeje – 50 vjet pas shitjes, ethet e arit të Alaskës gjeneruan më shumë se 1 miliard dollarë pasuri të reja për Shtetet e Bashkuara. Gjithashtu fitimprurës ishin bollëku i drurit, salmonit dhe naftës.
Plus, Alaska u bë një pasuri e vërtetë strategjike për ushtrinë amerikane, sapo erdhi Lufta e Ftohtë.
Atëherë, përse rusët dhanë një rajon të tillë bujar? Dhe pse nuk ia shitën atë Kanadasë, e cila – ndryshe nga SHBA – aktualisht kufizon Alaskën?
Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, duhet të shikojmë prapa në shekullin e 19, kur u shfaq një Proto-Luftë e Ftohtë. Historianët e quajnë atë “Loja e Madhe”.
Rusia pretendon Alaskën
Nga viti 1829 deri në vitin 1907, perandoritë e Rusisë dhe Britanisë së Madhe kishin një armiqësi reciproke. Secila prej tyre donte të zgjeronte ndikimin e saj në Azinë Qendrore, si dhe Oqeanin Paqësor. Kështu, lindi një rivalitet i fortë. Armiqësia nxiti ose intensifikoi disa konflikte ushtarake, sidomos Luftën e Krimesë (1853-1856), e cila vuri përballë Rusinë kundër forcave aleate të Britanisë, Francës, Sardenjës dhe Perandorisë Osmane. Në fund, Rusia u mposht. Nga disa vlerësime, perandoria cariste pësoi më shumë se 800.000 viktima.
Megjithëse kjo luftë ishte e kufizuar në Eurazi, ajo kishte degëzime të mëdha në të gjithë Paqësorin. Ndër të tjera, ajo vuri në pikëpyetje të ardhmen e atij vendi magjik, Alaskës.
Pas dekadave të tëra eksplorime, Rusia pretendoi Alaskën në vitin 1741. Më pas, më 3 gusht 1784, ngriti vendbanimin e saj të parë në Amerikën e Veriut. Ky vendbanim u themelua nga Shelikhov-Golikov Co., një nga disa kompanitë tregtare të leshit që operonin në këtë zonë – me sa duket në emër të Perandorisë. Në vitin 1799, Cari Pali i bashkoi disa prej tyre në Russian-American Co. (RAC). Si një konglomerat i fuqishëm, RAC-it iu dha një monopol tregtar në burimet e Alaskës. Ai gjithashtu kishte për detyrë krijimin e vendbanimeve të reja dhe zgjerimin e pranisë së Rusisë në botë.
Për këtë qëllim, drejtuesi i kompanisë, Aleksander Baranov, i urdhëroi njerëzit e tij të shkonin deri Kaliforninë veriore, ku ata krijuan një avanpost të quajtur Fort Ross, më 2 shkurt 1812. Vizioni i madh i RAC ishte që ky establishment të shërbente si një qendër bujqësore, të korrat e të cilës do t’i mbanin vetë kolonët, si dhe banorët në Alaskë. Me furnizimin me ushqim të garantuar, kolonët në të dy vendet do ta kishin më të lehtë për të siguruar mallin më fitimprurës të Paqësorit: lëkurën e vidrave të detit. Disa herë më të vlefshme se gëzofi i kastorit, këto ishin nyja e jetike e ekonomisë ruso-amerikane.
Për fat të keq, prodhimi blegtoral i Fort Ross ishte shumë i pamjaftueshëm. Dhe për t’i përkeqësuar gjërat, vidrat po gjuheshin kaq shumë, saqë pothuaj u zhdukën. Rusët, pra, hoqën dorë nga Fort Ross, që iu shit një kufitari amerikan më 1844.
Lufta e Krimesë dhe roli i saj
Pastaj erdhi Lufta e Krimesë, në të cilën Alaska kërcënonte të bëhej një barrë. Sikur britanikët të vendosnin të pushtonin këtë territor, ushtria tejet e shtrirë e Rusisë do të kishte luftuar për ta mbrojtur atë. Asnjë sulm i tillë nuk erdhi ndonjëherë, pasi britanikët zgjodhën të qëndronin larg Alaskës gjatë luftës. Megjithatë, shumëkush në qeverinë e carit, vuri në dyshim mençurinë e mbajtjes së një kolonie të largët, pak të populluar, burimi kryesor i të cilës ishte zhdukur.
Për t’i bërë përkeqësuar gjërat, anijet që gjuanin balena, nga Britania dhe SHBA shpesh shkelnin në ujërat e kontrolluara nga RAC, duke e ndërlikuar më tej gjithë gjendjen.
Në fund të viteve 1850, Rusia filloi të shqyrtonte idenë e shitjes. Nën rrethana të ndryshme, Provinca e Kanadasë mund të dukej si një blerëse ideale, në sajë të kufirit prej 2.475 kilometrash që ndante me Alaskën. Por Kanadaja nuk ishte ende e vetë-qeverisur, dhe ishte sërish nën kontrollin e fortë të Mbretërisë së Bashkuar. Si pasojë, dorëzimi i Alaskës do t’i jepte Britanisë një gur shtesë shahu në Lojën e Madhe.
Por për fat të mirë për Rusinë, u paraqit një kandidat më i mirë. Gjatë Luftës së Krimesë, kjo perandori sllave gjeti një aleat të habitshëm. Gazetat amerikane mbështetën në shumicë dërrmuese çështjen ruse. Në krye të kësaj mbështetjeje morale, shtetet i dhanë carit edhe trupa, armë dhe furnizime të tjera, edhe pse qeveria e SHBA ishte zyrtarisht neutrale.
Imperializmi britanik
Të dyja superfuqitë e shihnin imperializmin britanik si një kërcënim. Duke pranuar këtë, Rusia e lejoi ministrin e saj të jashtëm në SHBA, Baronin Edouard de Stoeckl, t’u afrohej udhëheqësve të republikës me një ofertë për të shitur Alaskën në vitin 1854. Marrëveshja ra dhe tema nuk u diskutua seriozisht deri në Luftën Civile Amerikane.
Sekretari i shtetit nën presidentët Abraham Lincoln dhe Andreu Johnson ishte Uilliam Seuard, një diplomat i talentuar që kishte predikuar dobinë e Alaskës për vite të tëra. Në vitin 1867, ai dhe Stoeckl arritën një marrëveshje që do të shihte SHBA-të të merrnin në zotërim territorin në këmbim të 7.2 milionë dollarëve. Më 9 prill të atij viti, Senati e ratifikoi transaksionin.
Më 18 tetor 1867, Alaska zyrtarisht u bë një territor amerikan.