Presidenti Ilir Meta reagoi pas tensioneve në protestën e opozitës.
“Presidenti i Republikës është duke ndjekur me shqetësim situatën. Ai bën thirrje për demonstrim paqësor dhe ruajtje të qetësisë. Ai u kërkon të gjithëve të evitojnë konfrontimet dhe të qëndrojnë larg provokimeve”, thuhet në reagim.
Më herët ish-ministri i drejtësisë Ylli Manjani ka kërkuar ndërhyrjen e Presidentit të Republikës lidhur me situatën politike në vend.
Përmes një postimi në Facebook, Manjani shkruan se kryetari i shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit të popullit, padyshim që ka një rol për të luajtur.
“Presidenti i Republikës, kryetari i shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit të popullit, padyshim që ka një rol për të luajtur. Nuk mund të bëjë sikur nuk sheh e nuk dëgjon. Qoftë edhe në emër të paanësisë apo mbipalësisë politike. Vendi është në krizë e cila mund të çojë në përplasje. Detyra e çdo Presidenti në këto kushte është thirrja e palëve në dialog. Ndaj Presidenti nuk ka ç’pret më! Duhet të fillojë punën për të ulur palët në tryezë dialogu” – shkruan Manjani.