-Mbresa nga aktiviteti përkujtimor në Parma kushtuar viktimave të detit-
Nga Ndue Lazri
Për një moment ajo skenë e vogël, e ndërtuar në sheshin “Cesare Battisti” në qytetin e Parmës, duket sikur dallgëzohet e nga altoparlantët dëgjohet zhurma e valëve dhe erës së detit. Sheshi është një mizanskenë, në dekorin e së cilës spikat me shkronja të mëdha: “Të padukshmit kanë një emër”. Edhe këto shkronja me sfond valët e kaltra duket sikur dalin në çast nga uji, si për të thënë: Pas nesh vijnë ata, emrat e atyre që mbetën përjetësisht në fund të detit, pa një varr, pa një vajtojcë që t’i qajë tek koka, pa të afërmit që t’u jepnin lamtumirën e fundit. I përpiu deti bashkë me ëndrrën e tyre për një jetë më të mirë në perëndimin e pasur. Në kërkim të atij perëndimi perëndoi jeta e tyre. Nga gomonet që u mbytën, nga anijet që u fundosën qëllimshëm, nga të ftohtët e uria përmes udhëtimesh gati biblike.
Një iniciativë e bukur e ndërmarrë nga licetë e qytetit të Parmës, në bashkëpunim me Universitetin e këtij qyteti të bukur emilian dhe nën patrocinion e komunës së Parmës. Përkujtimi i viktimave të mbetura në dete gjatë udhëtimit emigrues, leximi për herë të parë i emrave të atyre që konsideroheshin përjetësisht të zhdukur dhe pa emër.
Tronditëse pjesët e shkurtra teatrale, pantomimat e atyre që kërkojnë shpëtim, por përfundojnë poshtë dallgëve, këngët e kënduara nga dy vajza të talentuara liceiste. E ndërmjet secilës nga këto pjesë, vijnë si nga fundi i detit emrat e të padukshmëve. Lexohen emrat nga Sri Lanka e Maroku, nga Nigeria e Bangladeshi e shumë vende të tjera të globit. Pjesa më e madhe e tyre janë mosha të reja. Por ka edhe familje të tëra të shuara njëherë e përgjithmonë, ka edhe vogëlushë dy muajsh deri në një vit, madje edhe jetë që lindin në gomone e i përpin deti pa shqiptuar as belbëzimet e para, që përfundojnë në errësirën e përjetshme pa parë dritën e diellit.
E ndërsa liceistët lexojnë njëri pas tjetrit grupe emrash, duket sikur bashkë me këto emra vijnë nga fundi i detit tufa lulesh ujore, si për të thënë që ata nuk janë të zhdukurit e përjetshëm, por jetojnë në gjallesën e këtyre bimëve që u bëjnë jehonë emrave dhe i sjellin në sipërfaqe. Në njëfarë mënyre Parma u ngre sot atyre një lapidar nderi aty në sheshin “Cesare Battisti”.
Aktiviteti vazhdon për orë e orë, në podium alternohen folës e recitues, këngëtarë e valltarë e lajtmotivi është po ai, sjellja nga nëndeti e emrave të atyre emigrantëve me fat të kobshëm. Sheshi mbushet gjithnjë e më shumë me njerëz. Ndalen edhe turistë të huaj, të cilët sapo marrin vesh motivin e këtij aktiviteti, e përshëndesin me duartrokitje.
Cristina Quintavalla, profesoreshë e liceut prestigjioz “Romagnosi”, nxënësit e mësuesit e të cilit mbajtën një peshë të madhe në këtë veprimtari, e pret me fjalë entuziaste grupin e komunitetit shqiptar të përfaqësuar nga shkolla “Scanderbeg” dhe Forum Donne Indipendenti”. Tek shikon fëmijët e talentuar të grupit “Mille stelle” veshur me kostumet shumëngjyrëshe, ajo shprehet “Ju bëni diferencën. Duke ju parë tek arrinit kam ndjerë një shpërthim hareje në zemër”.
Në shesh është një numër i madh shqiptarësh, që kanë ardhur jo vetëm nga Parma, por edhe nga Bolonja, Brescia etj.
Përfaqësuesit e shkollës “Scanderbeg” dhe të Forum Donne Indipendenti kanë ndërtuar një program të posaçëm në kuadrin e kësaj iniciative. Programi i tyre u kushtohet viktimave të 28 marsit të vitit 1997, që përfunduan në fund të detit me anijen Katër i Radës, pas goditjes që i bëri asaj anija italiane “Sibilla”.
105 viktima, që për 21 vjet i ka mbuluar llumi i funddetit, llumi i harresës. Dhe ja, sot këta përfaqësues të komunitetit shqiptar lexojnë në publik emrat e 81 prej tyre. Është pranverë. Emrat e tyre thirren një nga një e ashtu një nga një duket sikur ata çelin në lulet e ballkoneve përreth sheshit, pastaj zbresin prej aty e futen midis emigrantëve të shumtë që mbushin sheshin duke u thënë: Sot na bëtë të ndihemi midis jush, të prekim me majat e gishtave atë ëndërr për të cilën ishim nisur.
Grupi shqiptar bën vërtetë diferencën. Mësuesja e palodhur dhe e pasionuar e shkollës “Scanderbeg”, Elvira Lashi Lika flet e emocionuar.-Jemi qytetarë të Parmës, të Italisë, të botës, jemi humanë e i shtrijmë dorën atyre që kanë më shumë nevojë,-thotë ndër të tjera ajo. Në mes të publikut takoj të palodhurin Durim Lika, i cili nuk ndalet për asnjë çast, por merret me organizimin e aktivitetit. Ai sapo ka dalë nga një aktivitet tjetër, ai i shkëmbimit të eksperiencës me grupin e ardhur nga Brescia për hapjen dhe funksionimin e shkollës shqipe. Janë mësueset Adelina Qeveri,Samira Tafa e Silvana Tika, që shoqërohen nga kryetari i shoqatës në Brescia, Ahmet Bendo. Aty afër është edhe Zamira Prendi, e cila ka hapur sportelin e emigrantit në Bolonjë e dy herë në javë vjen edhe në Modena e Parma për të ndihmuar bashkëatdhetarët. Me të kanë ardhur nga Bolonja edhe Mimoza, Arta e Albani. Më tej takoj të palodhurin Bujar R.Tabaku, Elton Metollin, Marsida Gurin, Laureta Shahini e plot të tjerë. Aurela Lashi e Armand Qosja lëvizin për të gjetur këndet më të përshtatshme për të bërë kronikën fotografike të eventit.
Në këtë atmosferë, skenën e zotërojnë fëmijët e grupit “Mille stelle”, i drejtuar nga mjeshtërja Loretta Shahini Metolli. Ndërrohen njëra pas tjetrës vallet “Shota”, “Baresha”, Vallja dardhare e plot të tjera e duket sikur ndërron dekori me ndërrimin e kostumeve aq të bukura me ngjyra e motive të shumta që e mbushin sheshin me atmosferë jete e gëzimi. Duket sikur këta yje të vegjël, që u ngjajnë yjeve të bukura të Detit Mesdhe, u thonë emrave që burojnë sot që poshtë dallgëve: Emri juaj, ëndrra juaj jetojnë në vallet e kostumet tona, në sytë tanë, në arritjet tona të përditshme”. Vallet e reja që ka shtuar mjeshtërja Loreta e kanë pasuruar shumë repertorin e këtij grupi. Vallet e kostumet janë nga e gjithë Shqipëria, siç janë edhe emrat e atyre që përkujtohen në këtë ditë të veçantë pranvere.
Ishte pragpranvere kur ata ranë në fund të detit, është pranverore kjo ditë që i sjell emrat e tyre në sipërfaqe, midis të gjallëve, ku jeta vazhdon me dinamikën e saj.