Sport Messi: Fitoj me Argjentinën dhe i jap lamtumirën futbollit. Reali gaboi me...

Messi: Fitoj me Argjentinën dhe i jap lamtumirën futbollit. Reali gaboi me Ronaldon

“Një trofe me Argjentinën dhe i jap lamtumirën futbollit”. Kjo është dëshira e Lionel Messit, i cili në një intervistë të dhënë për “Fox Sports” në Argjentinë ka shprehur hapur dëshirën e tij të madhe për të siguruar një trofe me fanellën albiceleste. Pesë herë fituesi i Topit të Artë është duke u përgatitur me kombëtaren e Argjentinës në prag të nisjes së Copa America.

“Dëshira ime është që të tërhiqem nga futbolli në momentin kur të kem fituar një trofe me Argjentinën. Përsa kohë të jem pjesë e kombëtares nuk do të rresht kurrë së provuari një gjë të tillë, për asnjë çast. E di që gjërat nuk janë edhe aq të thjeshta, por kemi një skuadër cilësore dhe që besoj se mund t’ia dalim.“

Ylli i Barcelonës flet edhe për të ardhmen e tij të mundshme si trajner: “Në fillim nuk e shoh veten as si drejtor teknik, ndoshta më pas do të më qëllojë, por do të doja të stërvisja fëmijët, të rinjtë. Për momentin nuk mendoj të bëj trajnerin në nivele profesionale, apo në ekipet e para. Shumë djem të rinj rriten duke më parë te Barcelona apo ekipi kombëtar. Duket sikur të rinjtë kanë më tepër dashuri për mua, më mbrojnë shumë”.

“Reali bëri gabim me Ronaldon”

Leo Messi, duke folur për “Fox Sports”, komentoi edhe marrëdhënien që ka me Cristiano Ronaldon dhe çfarë do të thotë për të konkurrenca me sulmuesin portugez, që zgjati shumë vite në La Liga: “Ishte diçka e mirë, që të luaja në një kampionat me Cristianon. Ai e bëri Real Madridin më të fortë. Siç e thashë në fillim të sezonit, Real Madridi do të ndihej si çdo ekip, pa Ronaldon.

Pak njerëz madrienë ishin të zemëruar me këtë që thashë, por ky është realiteti. Cristiano shënonte deri në 50 gola për sezon, ishte çelësi për Real Madridin. Pa dyshim, do të ndjenin mungesën e tij, ashtu si krejt La Liga. Prania e tij e bënte kampionatin më të mirë. Ne nuk e komunikojmë me njëri-tjetrin, takohemi vetëm në ceremoni çmimesh apo në ndeshje, por ekzistojnë ndjenja të mira reciproke.

Nuk kemi një marrëdhënie, sepse nuk e njohim njëri-tjetrin, por gjithmonë kemi respekt të ndërsjellë. Ishte i mirë rivaliteti për të dy, sepse vazhdimisht donim ta përmirësonim veten. E bëmë konkurrencën edhe më të fortë, duke qenë të dy në Spanjë. Ishte një rivalitet shumë i rëndësishëm. Sergio Ramos? Ai është një lojtar i mrekullueshëm, por i ashpër.”

Fëmijët

Lionel Messi thotë se fëmijët e tij e kanë ndihmuar si ta kapërcejë dhimbjen e humbjes në fushën e futbollit, sepse ka gjëra më të rëndësishme në jetë. Messi ka tre djem me bashkëshorten Antonella; Thiago, Mateo dhe Ciro. Ai thotë se atësia i ka dhënë një përmasë më të madhe pjekurie për jetën. “Humbjet në futboll më lëndojnë, por fatmirësisht kam fëmijët, merrem me ta dhe duket sikur gjithçka kalon. Kur ka lindur Thiago (më 2012), kam kuptuar se prioritetet janë të ndryshme, jo vetëm rezultat i një ndeshjeje.

Më dhemb shumë humbja, por shkoj në shtëpinë time, shoh fëmijët dhe gruan time, kështu që hidhërimi kalon. Para kësaj, kthehesha në shtëpi dhe mbyllesha në vetvete. Nuk doja të shikoja TV, as të ushqehesha. Tani kam një detyrë, që të jem në tavolinë me fëmijët e mi. Unë ende vuaj nga humbjet, por i trajtoj ato në një mënyrë tjetër”.