Sport Lazio po mendon për Buffon, çfarë do të ndodhë me Strakoshën?

Lazio po mendon për Buffon, çfarë do të ndodhë me Strakoshën?

Pas njoftimit të lamtumirës ndaj PSG, Buffon nuk ka ndërmend të tërhiqet nga futbolli i luajtur, edhe pse i ka kaluar të 40-at. Portieri veteran do të duhet të zgjedhë një ekip të ri, pasi e ka konfirmuar se dëshiron ta vazhdojë karrierën mes shtyllave. Vullneti i 41-vjeçarit, pas një viti të kaluar në Francë, do të ishte kthimi në Itali. Edhe një përvojë tjetër në Serie A, pastaj në Kinë apo SHBA.

Sipas “Repubblica”, Buffon kishte një bisedë me Totti-n gjatë javës së fundit të kampionatit në “Olimpico”, por Roma nuk ka treguar interes, në këtë drejtim. Lazio mund të jetë e interesuar, por ende nuk ka lëvizur konkretisht. Tifozët bardhekaltër do ta dëshironin, duke pasur parasysh se gjithmonë kanë pasur një lidhje të veçantë me të.

Nëse Lotito i hap dyert për një nga portierët më të mirë në historinë e futbollit, atëherë mbetet të shihet pozicioni i “gardianit” tonë kuqezi, Thoma Strakosha. Pyetja ngrihet e tillë: do të jetë zëvendësues Buffon, nën hijen e shqiptarit, apo e kundërta? Në të dyja rastet, Strakosha do të mësonte shumë, sepse do të stërvitej e luante me një legjendë në rolin e tij.

Në fakt, propozimi konkret i ka mbërritur nga Brescia. Buffon ka kohë dhe po pret, para se të japë një përgjigje përfundimtare. Edhe Genoa mund të jetë një sugjerim për ish-portierin e Juves dhe kombëtares italiane. Një gjë duket e sigurt: Gigi dëshiron të kthehet për të luajtur në Itali dhe në Serie A, jo në kampionat tjetër, të paktën në sezonin e ri.