Nga Aurenc Bebja*, Francë
“La Liberté” ka botuar, të martën e 25 janarit 1927, në faqen n°3, intervistën e Ahmet Zogut, dhënë asokohe të dërguarit të posaçëm të “Giornale d’Italia”, në lidhje me paktin italo-shqiptar, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:
Italia dhe Shqipëria
Një intervistë e Ahmet Zogut
“Milano, 24 janar. – Ahmet Zogu, president i Republikës së Shqipërisë, i dha një intervistë të dërguarit të posaçëm të Giornale d’Italia. Ai u ankua për fushatën e ndërmarrë nga shtypi i Beogradit, Parisit, Londrës dhe Nju Jorkut kundër marrëveshjes italo-shqiptare.
Përfundimi i këtij pakti, tha Ahmet Zogu, u diktua nga patriotizmi im i zjarrtë për të cilin asnjë i huaj nuk ka të drejtë të dyshojë. Unë u thashë disa gazetarëve se e nënshkrova marrëveshjen e Tiranës “për kënaqësinë time”.
Po ju them se jam i bindur se kjo marrëveshje do të ketë një hapësirë dhe një funksion historik. Tani, Italia ka një derë të hapur për zgjerimin e saj ekonomik dhe Shqipëria mund të shpresojë dhe të presë që Italia ta rimëkëmbë.
Kjo do të ndihmojë në konsolidimin e paqes në Ballkan.”
*Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania