Sport Pse Messi nuk po shkëlqen në Kupën e Amerikës

Pse Messi nuk po shkëlqen në Kupën e Amerikës

Argjentina ka arritur të shkojë në gjysmëfinalen e Copa America pa nevojë për një Lionel Messi në superformë teksa numri 10 ka pranuar se nuk po luan në nivelin e pritur.

Të gjithë e dinë se Messi mund të shpërthejë sa hap e mbyll sytë për të udhëhequr të besuarit e Lionel Scaloni-t drejt kupës, por pse nuk po arrin ta bëjë akoma?

Fushat në gjendje të keqe

Vetë Messi është ankuar për gjendjen e fushave në Brazil këtë verë dhe këto ankesa i ka përsëritur pas fitores me Venezuelën. “Kam vuajtur me gjendjen e fushës, nuk dal dot përpara, topi duket si një lepur,” është shprehur ai. Padyshim që ai ka të drejtë dhe nuk është i vetmi që ka shprehur pakënaqësitë, por lojtarët e nivelit të tij mund të bëjnë magjira edhe në fusha të tilla.

Pa partnerë në sulm

Megjithëse Scaloni e ka ndryshuar formacionin e tij në sulm në mënyrë konstante, Messi nuk ka qenë në gjendje të formojë një partneritet me askënd, qoftë ky Aguero apo Martinez. Mesa duket Lo Colso ishte lojtari me të cilin është marrë vesh më mirë, por ai ishte në stol ndaj Venezuelës.

Pak përfshirje në ndeshje

Messi nuk është përfshirë aq sa ka dëshirë. Ai ka shënuar vetëm një gol dhe ai ka ardhur nga pika e bardhë e penalltisë. “Prania e Messi-t në fushë na ka ndihmuar shumë. Ai kontribuon si brenda ashtu edhe jashtë fushe,” shprehet Scaloni.

Muaj të tjerë të komplikuar

Messi ka mbërritur në Brazil pas një mbylljeje jo të mirë të sezonit me Barcelona-n ku humbi finalen e Copa del Rey si dhe u eliminua nga Liverpool në gjysmëfinalen e Champions League. Brazili mund të jetë ndeshja ideale që Messi të shpërthejë.