Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka zhvilluar ditën e mërkurë një vizitë në Vatikan, ku është takuar dhe me Papa Françeskun.
Cakaj ka postuar në rrjetet sociale një foto nga takimi që pati me kreun e Selisë së Shenjtë
“Vizita në Vatikan përkon me disa përvjetorë shumë domethënës për marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë. Ky shtator shënon 28 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, 5 vjetorin e vizitës së Papa Françeskut në Tiranë dhe 3 vjetorin e Shenjtërimit të Nënës Terezë. Këto ngjarje nuk kanë thjesht një vlerë simbolike: ato paraqesin një moment të rëndësishëm për të kujtuar trashëgiminë e veçantë dhe shembullin e pakrahasueshëm botërisht të shqiptarëve për bashkëjetesën fetare, harmoninë religjioze dhe dialogun e hapur e gjithëpërfshirës në përgjithësi”, shkruan Cakaj në faqen e tij në Facebook.