Cristiano Ronaldo ka reputacionin e njërit prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave. Ai fiton rreth 500.000 £ në javë te Juventusi, siç skruan “The Sun”, por përfiton miliona të tjerë nga kontratat e pasura me “Nike”, “Electronic Arts” dhe “Herbalife”. Këtu duhet të llogariten edhe të ardhurat nga marka e tij e rrobave, parfumeve, këpucëve dhe të brendshmeve (CR7). Vitet e tij të suksesit te Real Madridi, si dhe sezonin e kaluar te Juventusi, kanë bërë që portugezi të jetë një nga sportistët që e përçan më tepër botën.
Ai adhurohet nga fansat e shumtë për aftësitë futbollistike dhe “palmaresin” e pasur me trofe, por, gjithashtu, Ronaldo ka një “ushtri” kritikësh, që nuk pajtohen me sjelljet e tij për t’u dukur, me obsesionin për pamjen e jashtme etj. Por, ndërsa shumë e lavdërojnë apo kritikojnë CR7 për atë që bën në fushën e blertë, pak dinë për veprat e tij bamirëse. “The Sun” rendit 18 arsye, pse Ronaldo ka një nga zemrat më të mëdha në të gjitha sportet.
1- “Këpuca e Artë” e Europës
Ronaldo e shiti trofeun individual prej ari në vitin 2011 për bamirësi. Me shifrën prej 1.2 milionë stërlina, ai ndërtoi një shkollë të re në Gaza.
2- “Topi i Artë”
Ai veproi njësoj edhe me “Topin e Artë”, që e fitoi në vitin 2013. Ylli portugez e shiti trofeun për 530 mijë stërlina. Para i dhuroi për fondacionin fondacionin “Make-A-Wish”, i cili iu përmbush disa dëshira fëmijëve të sëmurë terminalë. Ky ishte një veprim që bëri bujë në media..
3- Ambasador bamirësie
Cristiano Ronaldo është ambasador i tri shoqatave të mëdha për bamirësi si “Save the Children”, “Unicef” dhe “W/orld Vision”.
4- Bonuset për bamirësi
CR7 i dhuroi për bamirësi 100 mijë eurot e fituara në vitin 2013, kur u zgjodh në ekipin e vitit nga UEFA për “Kryqin e Kuq”. Më pas dha edhe 500 mijë euro tjera, kur fitoi “La Decima” me Real Madridin në Champions. Ky ishte një bonus nga klubi i bardhë, të cilin portugezi e ndau për tri shoqata bamirësie.
5- Dhurues gjaku
“Ne të gjithë mund ta bëjmë diferencën duke dhuruar gjak”. Këto janë fjalët e Ronaldos, që i thotë sa herë dhuron gjak për njerëzit në nevojë. Madje, njëra prej arsyeve pse nuk bën tatuazhe është dhurimi i gjakut. Sa herë tatuazhet marrin ngjyrë të re, nuk dhurohet gjak, sepse ekziston rrezik infeksioni.
6- Ndihma shumëmilionëshe në Nepal
Mediat patën raportuar se ylli portugez kishte bërë një donacion bamirësie prej 5 milionë stërlinash për “Save the Children’s”. Kjo ndodhi pas tërmetit në Nepal, në vitin 2015, ku shumë fëmijë mbetën në qiell të hapur, pa ushqim e veshëmbathje.
7- Ndihmon luftën kundër kancerit
Nëna e Ronaldos, Dolores Aveiro, ka vuajtur nga kanceri i gjirit në vitin 2007. Duke u nisur nga ky problem familjar, CR7 vendosi të dhurojë për atë qendër, ku u kurua e ëma, plot 120 mijë euro për kërkime shkencore ndaj kësaj sëmundjeje të rëndë.
8- Takimi me jetimin që i humbi dy prindërit në luftë
Tifozi i vogël i Real Madridit, Haidar, që i kishte humbur dy prindërit në luftë nga një bombë, u lumturua kur e takoi Ronaldon. Një gazetar vendosi kontaktet me gjigantët spanjollë, për të mundësuar këtë takim, që e nxori më në pah zemrën e madhe të yllit portugez.
9- Ndihma ndaj një tjetër fansi
CR7 e djaloshin që e adhuronte, i dedikoi golin dhe i pagoi ilaqet. Ky ishte rasti i Nuhuzet Guillen, kur po vuante nga kanceri. Fatkeqësisht, fansi i portugezit ndërroi jetë në vitin 2013.
10- Takimi me fansat që hyjnë në fushë
Ka nga ata që edhe rrezikojnë, duke kaluar rrethimet e fushës, apo çarë kordonin e punonjësve të sigurisë, vetëm për t’u takuar me idhullin, CR7. Shumë duan të bëjnë një foto me Ronaldon, gjë që e tentojnë duke hyrë në fushën e blertë, gjatë ndeshjeve ku luan pesë herë fituesi i “Topit të Artë”. Të ndjekur nga forcat e sigurisë, Ronaldo gjithmonë i ka mbrojtur këto fansa, duke iu dhënë dorën, përqafuar etj. Jashtë fushe është ndalur t’i takojë, t’u japë autografe dhe të bëjë foto me to.
11- Tifozi i vogël ndihmohet prej tij
Pasi dëgjoi rrëfimin e Erik Ortiz Cruz, një fansi të tij, Ronaldo pagoi 60 mijë euro. Kjo shumë shkoi për operimin në tru të adhuruesit të tij të vogël, që të shpëtonte nga paraliza.
12- Thyerja e dorës së tifozit
Kur luante me Real Madridin, sulmuesi portugez ia theu dorën me top fansit 11-vjeçar, Charlie Silverwood. Sapo mori vesh për këtë incident, CR7 kërkoi takim me të, i dhuroi fanellën me nënshkrimin e tij. Goditja me top kishte ndodhur aksidentalisht gjatë një miqësoreje kundër Bournemouth.
13- Shoku më i mirë
Çfarë do të bënte CR7 për shokun e tij të ngushtë? Kësaj pyetjeje, Ronaldo i dha përgjigje duke i blerë një ishull grek Jorgo Mendesit, që është njëkohësisht agjenti i tij. Plot 40 milionë euro pagoi për këtë dhuratë të jashtëzakonshme.
14- Ftoi në stadium Fernandon
Fernando Ricksen, që ndërroi jetë këtë javë, ka qenë i ftuar nga CR7 në një ndeshje të Ligës së Kampionëve, në vitin 2016, kur sëmundja e tij u bë publike. Portugezi shkoi dhe e vizitoi ish-futbollistin hollandez në spital, bëri foto me të dhe i dhuroi një fanellë me nënshkrim. Thonë se e ndihmoi edhe financiarisht për të përballuar shpenzimet e trajtimit mjekësor, pas apelit publik të familjes për të.
15- Dhurata për bashkëlojtarët
Duket mendjemadh në pamje të jashtë, por është shumë i afrueshëm me bashkëlojtarët. Kur fitoi “La Decima” në Champions me Real Madridin, Ronaldo vendosi t’u blejë nga një orë “Bulgari” bashkëlojtarëve. Secila prej tyre kushtonte 5 mijë euro.
16- Kujdesi ndaj vëllait të madh
Ai e ka integruar në një jetë ndryshe vëllain e vet të madh, Hugo Aveiro, duke e shpëtuar nga alkooli dhe droga. Ronaldo ia dedikoi atij triumfin në finalen e “La Decima”.
17- Bakshishe të majme për stafin e hoteleve, ku bën pushimet
Portugezi e pëlqen shumë resortin turistik “Costa Navarino” të Greqisë, ndaj shkon për pushime atje. Stafit të kësaj pike luksoze pushimesh iu ka lënë dy herë bakshish, nga 20 mijë euro, më 2018 dhe 2019.
18- Nuk i harron ata që janë kujdesur për të
Në intervistë të fundit me Morgan, ylli portugez tregoi një histori të fëmijërisë. Me të preku shumë njerëz, sepse evidentoi varfërinë e madhe, sa nuk ushqehej dot si duhet. Përmendi një ish- punëtore të “McDonald’s” në Lisbonë, e cila i kishte dhënë ushqim (hamburger) falas. Kërkoi ta dinte cila është ajo dhe të hante një darkë me të, ku t’i shprehte falënderimet (siç di ai, me ndonjë dhuratë, patjetër). Gruaja u vetëzbulua, tregoi gatishmërinë për ta takuar Ronaldon. Tani mbetet të shihet se ç’do të bëjë ylli i Juventusit.