Zv-kryeministri Erion Braçe shprehet se njoftimi i rremë i publikuar në disa media ka shkaktuar panik te qytetarët, duke akuzuar portalin Syri.Net te Cim Pekës.
“Jam i ashpër sepse kjo krijoi një kaos. Me vinin sms me atë lajm dhe foto e cila u përhap nga edhe si foto në rrjetet sociale. Jam i ashpër sepse u krijua një trafik ku nuk lejonte të kalonte policia, zjarrfikësja, ambulanca për të t’i dhënë ndihmën dikujt”, u shpreh Braçe.
“Në dijeninë time drejtori i syri.net është fshehur. Kjo nuk është punë e gazetarit. Drejtori i syri.net të dalë dhe të shkojë në polici të japë shpjegime. Policia ka nevojë për shpjegime”, deklaroi Braçe.
Peka u shpreh në të njëjtën orën në emisionin “Opinion”, ku hodhi akuza ndaj qeverisë se kërkon t’i mbyll portalin. “Deri në 3 minuta ka qëndruar lajmi. I bëhet foto dhe e shpërndan Rama në Facebook, ka qenë ai që ka përhapur panik. Në momentin që e ka shpërndarë Rama impakti ka qenë i madh”. Çim Peka tha se gazetari që e kish shkruar këtë lajm e besonte, madje kishte njoftuar edhe familjen e tij.
Bolino: Ja si u shpik lajmi i rremë nga “syri.net”
Gazetari Carlo Bolino komentoi në studion e Open lajmin e rremë të publikuar nga syri.net. Ai tha se lajmi kishte 2 elementë që e bënë të dukej i besueshëm e që më pas të krijonte panik te qytetarët: e para ishte citimi i sizmologut dhe e dyta përdorimi i emrit të Top Channel si një burim i besueshëm informacioni dhe kjo ishte e gjitha për disa klikime më shumë.
“Lajmi është totalisht i rremë. Lajmi i rremë i redaksisë së syri.net është bërë virale me anë të Whatsapp, Facebook dhe mediave sociale duke shkaktuar panik tek qytetarët”- tha Bolino.
“Por nuk është ky lajmi i rremë. Kishte dy lajme të rreme. Është bërë një montazh ku ne emër të një gazetareje e cila mbrëmë është shoqëruar në polici thuhet se parashikohet tërmet në orën 23:30”- tha Bolino.
Bolino tha se ky është një akt kriminal ose është bërë me qëllim krijimin e panikut.