Do të vazhdoni ende të konsumoni çajin me bustinë në bare apo në shtëpi për shkak të lehtësisë së përgatitjes?
Copëza mikroplastike gjejmë në oqeane, tokë, ajër, dëborë, por tanimë edhe në gotën tonë të çajit.
Sipas një studimi më të fundit, çantëzat plastike të çajit rrjedhin miliarda cifla mikroplastike në ujë.
Kërkuesit shkencorë pranë Univeristetit McGill në Kanada kanë analizuar efektet e vendosjes së katër bustinave çaji në ujë të valuar.
Ata vërtetuan se në një bustinë të vetme gjenden rreth 11.6 mld pjesëza mikroplastike, dhe 3.1 mld pjesëza më të vogla nanoplastike në filxhan – mijëra herë më të larta se pjesa e plastikës që është gjetur në ushqime dhe pije të tjera.
Efektet që mund të shkaktojnë në shëndet këto cifla plastike janë ende të panjohura, sipas kërkuesve shkencorë, të cilët bëjnë thirrje për shterim të studimeve për këtë çështje.
Ekipi i studiuesve e nxorën çajin nga bustina përpara zierjes së bustinës në ujë, për të parandaluar interferimin në rezultate.
Shkencëtarët kanë gjetur mikroplastikë në ushqime të ndryshme, por më pak hulumtime janë bërë për të vërtetuar nëse këto cifla plastike mund të derdhen në ujë gjatë zierjes së çajit dhe pijeve të tjera të nxehta.
Shumë prodhues të çajit përdorin polipropilen për të vulosur bustinat.
Njerëzit hanë mesatarisht 5 gramë plastikë çdo javë, sipas një studimi më të hershëm këtë vit –e barabartë me peshën e një karte krediti të përbërë nga plastika.
Në vlerësimet e para të rreziqeve shëndetësore prej plastikës në çezmë dhe në shishet e ujit, Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) tha muajin e kaluar se mikroplastikat “nuk duket se paraqesin një rrezik për shëndetin në nivelet aktuale”, por gjetja kryesore erdhi me një vërejtje të madhe – rishikimi tha që informacioni i disponueshëm ishte i kufizuar dhe më shumë kërkime ishin të nevojshme për mikroplastikat dhe se si ato ndikojnë në shëndetin e njeriut.
“Ne urgjentisht duhet të dimë më shumë për ndikimin në shëndet të mikroplastikës, sepse ato janë kudo – përfshirë në ujin tonë të pijshëm”, tha Dr. Maria Neira, drejtore e Departamentit të Shëndetit Publik, Mjedisit dhe Përcaktuesit Socialë të Shëndetit në OBSH.