Etleva Delia
Trafiku i kokainës që ishte nisur me 4 kontenierë të mbushur me banane, po hetohej që prej muajit gusht, pas një sinjalizimi të mbërritur nga DEA amerikane për Policinë greke dhe shqiptare.
Pasi droga u zbulua nga autoritetet greke, Policia e vendit fqinj informoi Policinë shqiptare. Menjëherë pas këtij informacioni, një grup hetimor udhëtoi me urgjencë për në Greqi. Në Portin e Pireut, ku kontenierët kaluan transit, autoritetet vendosën ta zëvendësonin drogën me oriz dhe brenda tyre vendosën edhe GPS, në mënyrë që të zbulonin “peshkun e madh”.
E megjithatë, në fund zbuluan vetëm një peshkatar, pasi edhe pronari i anijes së peshkimit nuk u arrit të ndalohej, duke u shpallur në kërkim. Por burimet thonë se deri tani janë identifikuar tre biznesmenë, të dyshuar si porositës të ngarkesës prej 137 kg kokainë, shtetasit me iniciale L.M. dhe A.C.. Megjithatë, ende nuk ka ndonjë provë konkrete për të bërë shoqërimin e tyre, madje nuk janë thirrur as për të dëshmuar, për sa kohë pakot nuk u kapën në duart e tyre. Burimet thanë se destinacioni përfundimtar i sasisë së kokainës ishte Fieri dhe Elbasani.
Dy grupe kriminale mjaft të fuqishme dhe me ndikim të madh në këto dy qytete, dyshohet se kishin porositur sasinë e kokainës nga Ekuadori. Droga ishte paketuar dhe futur në një kontenier frigoriferik me banane të një kompanie frutash ekzotike, në pronësi të shtetasit me iniciale E.D., që ishte nisur nga Ekuadori në drejtim të portit të Pireut në Greqi dhe më pas në drejtim të Portit të Durrësit.
Por sipas grupit hetimor, ky person nuk rezulton të ketë pasur dijeni për pakot me ko- kainë që ndodheshin në ngarkesën e tij të bananeve. Gjatë operacionit të koduar “Kuito”, Policia arriti të arrestonte Ardian Begën, me detyrë punonjës sigurie në portin e Durrësit dhe Altin Myslihakën, peshkatar dhe mirëmbajtës i anijes së peshkimit të Gentian Malindit, i cili nuk u arrit të ndalohej.
LËVIZJET E KONTENIEREVE
Referuar kompanive që monitorojnë itinerarin e mall- rave për qëllime tregtare me anë të kontenierëve, rezulton se ngarkesa prej 137 kg kokainë është nisur më 24 korrik nga Porti i Guajakil në Ekuador. Sipas të dhënave, më 19 gusht, ngarkesa ka mbërritur në Portin e Pireut në Greqi, përmes rrugëve detare.
Në këtë kohë, autoritetet greke, në bashkëpunim me zyrën e DEA-s amerikane në Athinë, kanë gjetur të fshehur në motorët frigoriferikë të kontenierëve pakot me drogë. Menjëherë janë njoftuar autoritetet shqiptare, që dërguan disa zyrtarë të Antidrogës në Greqi.
Në prani të tyre u bë edhe zëvendësimi i drogës me oriz, si dhe u vunë pajisje GPS dhe pajisje përgjimi në disa pako. Një muaj më vonë, më 14 shtator, kontenierët u nisën drejt Portit të Durrësit ku mbërritën më 17 shtator.
Që nga momenti i mbërritjes në Durrës, kontenierët u mbajtën nën vëzhgim nga forcat operacionale të Policisë, deri në momentin që punonjësi i sigurisë së Portit, Ardian Bega, hapi një prej kontenierëve, duke marrë disa pako, të cilat ai mendonte se ishin me kokainë.
/Panorama